Një sistem i kalbur, i ngritur mbi korrupsion, padrejtësi dhe papërgjegjësi, ka shkaktuar dëme të mëdha dhe ka marrë më shumë se sa duhet nga populli. Sot, në një moment dhimbjeje për jetët e pafajshme që janë humbur, si në të kaluarën ashtu edhe tani, nuk mund të heshtim. Heshtja na bën bashkëfajtorë. Kështu ka komentuar tragjedinë e fundit në një klub nate në Koçan, Blerand Ramadani, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët (Krahu i Taravarit).
Ramadani ka theksuar se qeveria që ai përfaqëson nuk do të bëhet pjesë e këtij zinxhiri vdekjeprurës që ka minuar besimin dhe shpresën e qytetarëve për vite me radhë. Ai ka marrë përgjegjësinë, por jo siç janë mësuar të bëjnë të tjerët me premtime boshe. “Ne flasim për një RESET TOTAL, për të çrrënjosur çdo qelizë të kalbur të këtij sistemi, i cili ka shndërruar jetën e qytetarëve në një mjet të përdorur nga korrupsioni dhe arroganca politike,” ka thënë ai. Sipas tij, tragjedia e të rinjve të humbur dhe e të tjerëve që kanë paguar çmimin e pafajësisë, do të jetë një simbol i drejtësisë së vërtetë.
Ramadani ka shtuar se ky është momenti për të treguar forcën, dinjitetin dhe guximin që ka munguar për shumë kohë, për të ndaluar spiralen e dhimbshme që përsëritet çdo herë që mendojmë se “asgjë nuk mund të ndryshojë”. Ai ka deklaruar se populli meriton më shumë dhe se historia do të kujtojë këtë moment: “Ose do të jemi ata që patën guximin të shkatërrojnë një herë e përgjithmonë këtë të keqe që ka dekada që po ndërtohet, ose do të jemi thjesht një hallkë tjetër e prishur në një zinxhir të kalbur.”
Në fund, ai ka bërë thirrje për guxim, përgjegjësi dhe drejtësi për çdo jetë të humbur. “Sistemi i kalbur do të bjerë, dhe me të, çdo individ që mendon se mund t’i shpëtojë përgjegjësisë,” ka përfunduar Blerand Ramadani.