Qeveria miraton projektin e RAMS në Vlorë, kompania e “Osmanit” përfiton 885 mijë m² tokë shtetërore me 1 euro.
Edi Rama ka zyrtarizuar pazarin me turqit për tu dhënë 885 mijë metra katrorë tokë shtetërore në Vlorë me tarifën simbolike 1 euro.
Pas lajmeve të para një muaji, në mbledhjen e sotme të qeverisë është marrë vendimi që kompania që promovon aktori turk Burak Özçivit, i njohur për publikun shqiptar si “Osmani”, të marrë zyrtarisht të drejtën për të zhvilluar zonën e lirë ekonomike në Vlorë.
Pra me vendimin e miratuar sot, Këshilli i Ministrave shpalli “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE” Zonë të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik me tarifën simbolike 1 euro.
Vendimi vjen në një kohë kur qeveria ka deklaruar se do të shfuqizojë ligjin për investimet strategjike, ndërsa projekti i RAMS Albania është një nga përfituesit e këtij mekanizmi. Në shkurt të këtij viti, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha projektit “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone” statusin e investimit strategjik, ndërsa me vendimin e sotëm kompania u shpall zyrtarisht zhvilluese e zonës me procedurë jokonkurruese./Pamfleti



