Pas fitores në 14 Maj të Bashkisë së Vlorës, Edi Rama nxitoi të ndajë detyrat për kryebashkiun e ri dhe deputetët e zonës.
“Duke filluar nga ky sezon nga momenti i betimit kryetari i bashkisë, të pastrimit gjelbërimit të dalin të pastrojnë Vlorën bashkë me deputetët, se s’keni parlament në gusht merrni një uniform pastrimi dhe punoni tetë orë në ndërmarrjen e pastrimit“.
Rezultatin e dalë nga kutitë e votimit nuk e sheh si votë për t’u vetëkënaqur. Ndaj kërkoi nga strukrurat e Partisë Socialiste të Vlorës që të reflektojë për të qenë pranë qytetarëve.
“Partia e Vlorës të jetë fytyra, dinjiteti, jo instrumenti i përfitimeve të një grushti njerëzish“.
Pikë e parë e programit të qeverisë dhe kryebashkiakëve të sapozgjedhur tha se duhet të jetë njerëzillëku, teksa u kujtoi të vetëve se Partia Socialiste në këto zgjedhje shënoi një rezultat historik.
“Këtë herë, PS ka marrë votën e vet, të drejtpërdrejtë, të kondoliduar dhe të bashkuar”.
Për të deleguarin e Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Blendi Klosi, rezultati i 14 Majit duhet të jetë starti për betejën elektorale të radhës.
“Sot kemi ditën e parë për punën që duhet të bëjmë për të fituar zgjedhjet në 2025”, tha Klosi.
Kryebashkiaku Dredha, i cili la detyrën e ambasadorit për të drejtuar Bashkinë e Vlorës tha se do jetë një shërbëtor i devotshëm deri në përmbushjen e premtimeve të tij.
“Turizëm elitar, ekonomi për gjithë vlonjatët dhe qytet i pastër ashtu siç ne e meritojmë”, tha Dredha.
Në Vlorë kryeministri u takua edhe me pedagogë dhe studentë shqiptarë e të huaj të Universitetit “Ismail Qemali”, ku kërkoi që krahas vëmendjes së qeverisë ndaj arsimit, të shihet edhe mundësia që fakultetet të përfshihen në projekte e programe nga rrjetet e arsimit të lartë europian.
“Po krijohen disa zakone të reja po themi, për ta parë veten universiteti si pjesë e një rruge ku nuk mund të pritet gjithçka që të vijë nga qeveria dhe nga shteti po ku shumëçka duhet të vijë nga organizimi i brendshëm, nga forcat e brendshme, nga ndërverprimi me universitetet e tjera.”
Kryeministri e vijoi turin e falenderimeve edhe në Selenicë nga ku premtoi se falë rrugës së Lumit të Vlorës kjo zonë do kthehet në një destinacion turistik.
Tv Klan