Gjatë vizitën në në Tel Aviv të Izraelit, Rama u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog.
Ai shpreh mirënjohjen e këtij nderimi dhe thekson se është marrë në emër të gjithë Shqipërisë.
“E kam vështirë të gjej fjalët, duke u përballur me një surprizë të tillë, nuk kam një fjalë këtu me vete, por disa pika diskutimi. Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marrë në emër të Shqipërisë, popullit shqiptar, në emër të gjithë shqiptarëve myslimanë e krishterë që vendosën jetën në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim, në të vetmin vend në Evropë që mbylli Luftën e dytë Botërore me më shumë hebrenj se sa në fillim të saj”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri flet mbi zhvillimin e dy qendrave hebreje në Shqipëri, në shenjë forcimi të marrëdhënieve me Izraelin.
Më tej, Rama shpreh mbështetjen dhe mikpritjen nga ana e Shqipërisë sa herë që Izraeli përballet me momente të vështira.
“Në përpjekje për të ndërtuar mbi historinë, ne bëjmë gjithçka mundemi të ngrejmë zërin kundër antisemitizmit. Nga ana tjetër, po ndërtojmë dy qendra hebreje. Një muze hebre në Vlorë, aty ku ishin vendosur hebrenjtë, dhe një tjetër në Tiranë. Duam të kemi sa më shumë marrëdhënie me Izraelin. Ashtu siç ka qenë jo vetëm gjatë Luftës së dytë Botërore, Shqipëria do të jetë gjithmonë shtëpia juaj e dytë dhe do jeni gjithmonë të mirëpritur. Shpresojmë të jemi në gjendje të ndërtojmë diçka jo të jashtëzakonshme por diçka me frymën e vllazërimit. Qëndrojmë me Izraelin në momente të vështira, pasi Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e saj”, tha Edi Rama.