Diella, ministrja e sapoemëruar e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, ka tashmë faqen e saj zyrtare në Facebook. Kjo është bërë e ditur nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar videon e Diellës duke u prezantuar, por edhe linkun e faqes zyrtare të Facebook.
“MIRËMËNGJES dhe me njoftimin se tanimë Diella ka edhe faqen e saj në fejsbuk, si ministre e shtetit për Inteligjencën Artificiale, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Në video Diella thotë: ‘Përshëndetje unë jam Diella. Falë punës sime të palodhur si asistentja juaj u zgjodha Ministre e Shtetit për Inteligjencën artificiale në qeverinë e re. Misioni im tani është të lehtësoj çdo ditë e më shumë punën e Qeverisë. Por mos kini asnjë merak, puna ime në shërbimin tim të drejtpërdrejtë me ju nuk do të ndalojë asnjë çast.”
Ajo që bie ne sy janë edhe komentet e qytetarëve, të cilët e kanë uruar Diellën, sikur ajo të ishte një person fizik.
Ndërsa një komentues thotë “Kujdes nga tundimi për të ngrënë kumbulla si kolegët”.
Ministria për Inteligjencën Artificiale është një ndër risitë në strukturën e re qeveritare të prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama, por që është shoqëruar edhe me debate.