Partia Socialiste në Shqipëri do të propozojë emrin e Bajram Begajn për Presidentin e ri të Republikës.
Kreu i PS dhe njëherësh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS u shpreh i sigurt se ka votat e nevojshme për ta zgjedhur Begajn kreun e ri të shtetit.
“Kemi arritur në konkluzionin që z. Bajram Begaj është i duhuri për të qenë Presidenti i Republikës së Shqipërisë për 5 vitet e ardhshme”, tha kryeministri Rama.
Emri i Begajt, shtoi Rama është zgjedhur mes 26 emrave që janë diskutuar në Kryesinë e PS-së.
“Në listën e fundit ishin 6 emra, 3 gra dhe 3 burra”, tha Rama duke iu përgjigjur pyetjes së Euronews Albania se përse nuk pati një kandidate për President.
Rama bëri të ditur se do të zhvillojë mbrëmjen e së premtes një takim me kandidatin për President.
Begaj, i lindur në 1967, është Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Kandidatura e Begaj pritet që të kalojë të shtunën për votim në Parlament, ku do të duhen të paktën 71 vota për t’u zgjedhur kreu i ri i shtetit.
Nëse zgjidhet, Bajram Begaj do të jetë Presidenti i 7-të i Shqipërisë në 32 vite pluralizëm politik pas Sali Berishës, Rexhep Meidanit, Alfred Moisiut, Bamir Topit, Bujar Nishanit dhe Ilir Metës.