Amir Bilalli
Pas fitores se Kurtit në Kosovë, teoritë konspirative për ndryshim të kufijve në Ballkan sikur morrën hov. Sipas tyre, viktimë e parë do të jetë Maqedonia e Veriut, kurse e dyta si “domino-efekt” – BeH. Ata nisen nga realiteti se pas rënies së komunizmit, pothuajse të gjitha vendet e Evropës Lindore iu bashkuan UE-së, kurse Ballkani Perëndimor mbeti në ” listën e pritjes së gjatë”, me pa ide se si mëtej, që mund të shkaktojë paraqitjen e opcioneve të reja me kufij të ri. Madje mendohet se zhagitja bëheka qëllimisht që të krijohet një hartë e re ballkanike!
Konspiracionistët mendojnë se problemet e mëdha që i ka Maqedonia e Veriut (për të cilat realisht në masë të madhe vet është fajtore), vështirë se do i mbijetojë. Madje edhe kontestin me Bullgarinë e shofin si një instruim nga do forca të jashtme! Pra, se gjoja këtu paskan gisht do fuqi të mëdha qëllimi i të cilave është krijimi i rrethanave reale për vet-shkatërimin e Maqedonisë.
Një analizë shumë interesante për të ardhmen e mundshme të Maqedonisë së Veriut, u botua kohë më parë nga një grup konspirativ i këtij shteti ku thuhet: – “Marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë ndryshuan emrin e vendit duke instaluar identitet të ri zyrtar shtetëror të quajtur veri-maqedonas, madje se vet axhenda me Bullgarinë ka për qëllim mohimin e gjuhës maqedonase”. Sipas tyre, procesi Euro-Atllantik për Maqedoninë është vetëm faza e parë (e shkurtër) drejt realizimit të një plani për ndarjen e tërësishme të Maqedonisë nga fqinjët e saj. Ata pohojnë se “realiteti i ashpër së shpejti do të na tregoj se fqinjët dhe fuqitë e mëdha tashmë kanë hartuar harta të reja ballkanike që nxjerrin në pah kufijtë e shteteve natyrore, ku nuk bënë pjesë Maqedonia”.
Sipas tyre, edhe Gjermania mbështet historinë e lashtë të Greqisë, madje para do vitesh atë e pat shpëtuar nga bankroti finasiar. Por, njëherit ky shtet i fuqishëm evropian mbështet edhe Bullgarinë, e cila shpreson të fitojë një pjesë të territorit maqedonas në rast të një riorganizimi të ri në Ballkan. Në fakt, ata besojnë se pikërisht përmes Gjermanisë, si partnere besnike e Athinës dhe Sofjes, do të bëjnë ndikim në rajon. Sipas tyre, “ekzistenca e Maqedonisë është e panevojshme në strategjinë gjeopolitike të Gjermanisë”.
Nga ana tjetër, entuziazmi i Serbisë për antarsim në UE buron kryesisht nga besimi se – pas një ndërprerjeje 30-vjeçare – të gjithë serbët do të mund bashkohen në një “UE-goslavi”. Serbia e vetëdijshme për humbjen e relevancës së Rusisë, e cila tanimë edhe vet është e rrethuar me anëtare të NATO-s, madje nga aleatët e deridjeshëm të saja, synon do projekte shpëtimtare. Presidenti Vuçiç me formulën “Mini-Schengen”- një zëvendësim për marrëveshjen jofunksionale të Bukureshtit nga viti 2006 të quajtur – CEFTA (Shqipëri, BiH, Maqedoni e V, Moldavi, Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi), synon një “treg të përbashkët rajonal”. Në këso rrethanash Serbia njëherit shpreson se më lehtë do e zgjidh çështjen me Kosovën. Alternativa e tretë, në mungesë të integrimit evropian apo rajonal, sipas opcionit serb mbetet konflikti rajonal me pasoja katastrofale, pas të cilit gjithçka do ishte ndryshe.
Sipas forcave anti-perëndimore, për politikën amerikane dhe NATO-n që të dy shtetet shqiptare, pra Shqipëria dhe Kosova – janë thelbësore për gjeopolitikën e Evropës Juglindore. Sipas tyre, në periudhën e ardhshme, Shqipëria, ka shumë të ngjarë të hyjë në një lloj bashkësie me Kosovën, por edhe me do territore tjera shqiptare – duke luajtur rolin e një fuqie relevante ballkanike. Një Shqipëri e fuqishme dhe e armatosur mirë do mund SHBA-ve t’u shërben për dominim afatgjat në Ballkan” – mendojnë ata. Këta futuristë gjeopolitik pohojnë se ekzistenca e Republikës së Maqedonisë në këto konstelacione është e panevojshme në strategjinë gjeopolitike të “shtetit të thellë”.
Si e shofin realistët?
Fitorja aq e madhe në zgjedhje e Albin Kurtit, e cila mund të vlerësohet si një referendum popullor, si duket nuk u prit aq mirë nga Brukseli, sepse mendojnë se ai do pengon në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje kompromisi në relacionet Serbi-Kosovë. Kurti, tregon hapur se në plan të parë – sepse populli e dëshiron atë – është lufta kundër korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik. Gjithashtu, Kurti është i vetëdijshëm se politika e administratës së re të SHBA – të paktën kur bëhet fjalë për rajonin dhe Kosovën – nuk do ndryshojë shumë. Një deklaratë e fundit nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i sugjeroi Kurtin t’u jep prioritet negociatave me Serbinë. Kjo njëherit tregon se integrimi rajonal brenda Ballkanit Perëndimor do jetë pikëqëndrim edhe për administratën e Biden-it!
Sa i përket politikës së jashtme të Kurtit, për momentin si duket edhe Tirana është një problem. “Vetëvendosja”, në përputhje me strategjinë e saj për bashkimin e të gjithë popullit shqiptar në një shtet, synon të marrë pjesë edhe në zgjedhjet në Shqipëri. Personaliteti karizmatik i të riut Albin Kurti dhe platforma e tij e majtë, por sovraniste dhe anti-korrupsion, po fiton gjithnjë e më shumë mbështetës edhe në pjesët tjera shqiptare. Fakt se forcat politike në pushtet në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut tani këte e përjetojnë si ankth. Sa i përket Serbisë, Kurti mendon se Aleksandër Vuçiq do të duhej të bëhej Gorbaçov i Serbisë dhe ta çojë vendin drejt reformave. Ai gjithashtu do të duhej të bindte popullin serb se ata mund të ecin përpara vetëm dhe pa Kosovën, ashtu siç De Gaulle bindi francezët se ata janë një komb i madh edhe pa Algjerinë. Më në fund shton ai, Vuçiq, duhet të duket si Willy Brandt, i cili u gjunjëzua dhe kërkojë falje për të gjitha krimet gjermane, ashtu siç bëri edhe ish-kancelarja gjermane në Varshavë.
Së shpejti do të kemi kahje të qarta për ate se kah do të fryejnë erërat e fuqishme. Por, konspiracionet janë të pabaza nga vet natyra e tyre, aq më shumë kur segmenti politik shqiptar në Maqedoni aspak s’i ka kushtua peshë zhvillimit ekonomik të vendit, kështu që afro gjysma e shqiptarëve tanimë kanë ikur jashtë. Pa njerëz s’bëhet asgjë, madje as fëmijë e lere më strategji, qofshin edhe konspirative. Mbajtja e regjistrimit të popullsisë në situate mjegull, sikur ka për qëllim ta fsheh këte realitet shumë të hidhur për shqiptarët. Më parë mund të themi se ndër dekadat e ardhme popullata e Maqedonisë do të merr ngjyrë të zezë apo verdhë, por që këte akoma s’mund ta shofin do udhëheqës tanë, e as autorët e konspiracionit së paku nga verbësia nacionaliste e tyre. Dhasht Zoti tani pas aq shumë vitesh eksodi të kuptojmë se çka është duke na ndodhur dhe ku duhet kërkuar ilaqin!