Anëtari i Këshillit Organizativ të protestës që do të mbahet nesër në Shkup, Rafis Aliti, ka kritikuar institucionet e Kosovës për mungesë të angazhimit në mbrojtjen e ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Ai tërhoqi një paralele me qasjen e Serbisë dhe Kroacisë ndaj të akuzuarve të tyre për krime lufte.
“Serbia i mori në mbrojtje kriminelët e luftës, qoftë në Kroaci, Bosnjë apo në luftën e Kosovës. Është kujdesur për ta, si për ata që ishin në Hagë, ashtu edhe për ata që lëvizin të lirë në Serbi e Kosovë,” tha Aliti.
Ai shtoi se edhe Kroacia qëndroi pas luftëtarëve të saj gjatë proceseve gjyqësore ndërkombëtare. “Edhe Kroacia i mbrojti çlirimtarët e vet — edhe ata ishin në Hagë, por shteti qëndronte pas tyre,” u shpreh ai.
Në këtë kontekst, Aliti ngriti pyetjen se çfarë ka bërë Kosova për të mbrojtur interesin e saj shtetëror në Gjykatën Speciale. “Çka bëri shteti i Kosovës që të mbrojë interesin shtetëror në Hagë?” theksoi ai.
Protesta në Shkup pritet të mbahet nesër, me kërkesën për mbështetje ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë. /SHENJA/


