Bullgaria gjithmonë ka qenë e hapur për dialog me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pres që ky dialog të kontribuojë në afrimin tonë kulturor, por edhe të inkurajojë bashkëpunimin ekonomik. Presim që Maqedonia e Veriut t’i përmbushë të gjitha obligimet edhe ndaj nesh dhe ndaj Bashkimit Evropian, deklaroi sot presidenti i Bullgarisë Rumen Radevi para takimit me presidenten e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, e cila është për vizitë zyrtare në Bullgari.
Sipas Radevit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka lënë retorikën zgjedhore.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka lënë retorikën zgjedhore. Nevojitet të kthehemi në realitet, marrëdhëniet tona do të varen nga marrëveshjet e lidhura”, tha Radevi.
Ai potencon se angazhimi i lidershipit të Maqedonisë së Veriut në lidhje me Korridorin 8 do të jetë një tregues i qartë i ambicieve të vërteta evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për lidhje më të madhe në rajon.
“Pres që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga ana e presidentes Siljanovska Davkova të mbetet si politikë konsistente e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ne në mënyrë rigoroze do ta ndjekim protokollin. Është koha edhe për vizitën time zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Radevi.
Në pyetjen nëse tashmë ka një ftesë të tillë, Radevi u përgjigj se në lidhje me këtë çështje do të bisedojë me presidenten e Maqedonisë së Veriut.