Vendimi i Bashkimit Evropian për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së nga presidenti i Bullgarisë Rumen Radev është cilësuar si “pasojë logjike” nga veprimet e qeverisë së RMV-së, transmeton Portalb.mk.
Sipas Radevit, qeveria në Shkup po shkon në drejtim të kundërt të integrimeve evropiane.
“Shpresoj që sidomos pas lajmit se Tirana dhe Shkupi do të ndahen, të nxjerrin konkluzionet e nevojshme dhe të shkojnë në drejtimin e duhur”, tha Radev.
Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski pas ndarjes së Shqipërisë nga RMV-ja në rrugën eurointegruese tha se nuk duhet të humben shpresat.
“Megjithëse shumë herë jemi të zhgënjyer. Më vjen keq që kjo po ndodh dhe që ne duhet të jemi sërish viktimë e bilateralizimit dhe jo e përmbushjes së kritereve të Kopenhagës. Ne do të vazhdojmë të punojmë për problemet në shtëpi…I uroj gjithë të mirat qeverisë shqiptare, që të përfundojë shpejt negociatat dhe të bëhet anëtare e BE-së. Shpresoj që edhe ne të jemi pjesë e asaj familjeje dhe në atë tryezë. Më vjen keq që për shkak të këtij vendimi, vetëm dy parti u kënaqën me të, dhe këta janë, pa përjashtim, politikanët e fqinjit tonë lindor dhe opozita në vend”, tha Mickoski.
Më 25 shtator 2024 ambasadorët e vendeve të BE-së një zëri vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Me këtë Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt BE-së kurse RMV-ja mbetet në vend.
Debati për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese ka qenë temë debati edhe para disa viteve, kur Holanda e pengonte procesin eurointegrues të Shqipërisë. Në atë periudhë kërkohej ndarja e RMV-së nga Shqipëria.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese.
Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.
Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.