Sofja i jep sinjalet e para për zhbllokimin e mundshëm të negociatave mes Shkupit dhe BE-së. Presidenti bullgar, Rumen Radev paralajmëroi se në qershor mund të zhbllokohet fillimi i negociatave mes vendit dhe BE-së. Ai bashkë me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin e Portugalisë, Antoniu Koshta i shqyrtuan opsionet e miratimit të kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut. Radev theksoi se Bullgaria më së shumti e dëshiron progresin e Shkupit kah BE-ja por se kjo gjë duhet të bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut dhe përmbushjen e kritereve të Kopenhagës për integrim në Union.
– Advertisements –
Çdo ditë marr ftesa për bisedë me liderët evropian, me komisionerë evropianë, me liderët e BE-së. Tema është shumë e ndjeshme, pritjet janë të mëdha, s’mund ta fsheh. Pritet që në Këshill në gjysmën e dytë të qershorit të ketë lëvizje për çështjen e rrugës evropiane dhe fillimin e negociatave për Maqedoninë – tha Rumen Radev, President i Bullgarisë.
Ndërkohë që Sofja po insistonte se garancitë e qarta janë kyçe që t’ia jep dritën jeshile fillimit të negociatave, kryediplomati teknik bullgar, Svetllan Stoev deklaroi se një garanci e tillë mund të jetë edhe monitorimi nga ana e Bashkimit Evropian. Ai madje tha se zhbllokimi i kornizës negociuese për Shkupin është një nga prioritetet e tij, për çka tashmë ka formuar ekip.
Ne propozojmë thellim dhe rinisje të dialogut. Pista e dytë në të cilën punohet është kthimi i temës në kornizë të formateve normale evropiane, ku do të duhet të diskutohet për këto çështje midis shteteve anëtare të BE-së dhe ku duhet t’i jepen garanci Bullgarisë se ajo që është dakorduar në mënyrë dypalëshe do të respektohet në të ardhmen. Ai monitorim nga ana e BE-së është garanci se marrëveshjet e nënshkruara dypalëshe që janë nënshkruar dhe do të nënshkruhen eventualisht, do të respektohen. Kjo është taktika, strategjia. Presim dialog konstruktiv nga ana e Maqedonisë së Veriut – deklaroi Svetllan Stoev, Ministër i jashtëm i Bullgarisë.
Të mërkurën, me aeroplan të presidencës bullgare, Radev e Pendarovski do të udhëtojnë për në Romë, ku pos për ta shënuar 24 Majin, pritet të diskutojnë edhe kontestin dypalësh. Aktivitetet vijojnë pasi kryediplomati portugez, Silva vendi i të cilit kryeson me BE-në, dorëzoi propozim për zhbllokimin e negociatave mes vendit e BE-së. Shkupi ka vlerësuar se propozimi është bazë e mirë për zgjidhje. Jozyrtarisht propozimi i Silvës parashikon që kontesti të mos zgjidhet përmes kornizës negociuese, por përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.
Anesa Salihu