Qyteti i Shkupit ka çmimin më të ulët të ujit në vend nga të gjitha qytetet tjera, pretendon kreu i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov gjatë një takimi me gazetarët. Megjithatë nga muaji mars qytetarët e Shkupit do të paguajnë 1,32 denarë më shumë nga çmimi aktual. Nga ndërmarrja publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi” kanë deklaruar se çmimi në fakt do jetë më i ulët, por shtrenjtimi do bëhet për shkak obligimeve shtesë të ndërmarrjes gjatë procesit të punës si dhe stacioneve filtruese.
‘Presim që çmimi të jetë një çmim mesatar. Nga 500 denarë qytetarët në të ardhmen do të duhet të paguajnë 522 denarë dhe këtë e bëjmë me qëllim që mos t’i ngarkojmë qytetarët dhe në të njëjtën kohë ta respektojmë vendimin e Komisionit rregullator dhe pse në pajtim me atë vendim N.P “Ujësjellësi dhe kanalizimi” Shkup ka edhe përgjegjësi financiare edhe për mbarëvajtjen e stacioneve filtruese dhe me racionalizimin e punës së N.P. “Ujësjellësi dhe kanalizimi” do mundësojmë që t’i sigurojmë mjetet për mbarëvajtjen e stacioneve filtruese’, deklaroi Petre Shilegov ,Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Shilegov tha se 22 denarët shtesë shkojnë për ambient më të pastër dhe për mirëmbajtjen e dy stacioneve filtruese për ujërat e zeza në lumenjtë Treska dhe Lepenec, gjë që deri më tani ka qenë obligim i Ministrisë së ambientit dhe planifikimit hapësinor.
‘Paratë shtesë shkojnë në mirëmbajtjen e dy stacioneve filtruese të cilët deri tani nuk i kishim si detyrim. Ata për ndërmarrjen publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi” do të bëjnë harxhime në masë prej 100 milionë denarë në nivel vjetor’, tha Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Ky vendim pritet të miratohet në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit e cila do të mbahet më 31 janar.