Grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit bllokoi sot foltoren dhe më pas braktisi mbledhjen e Këshillit të qytetit, duke mos marrë pjesë në miratimin e buxhetit të kryeqendrës për vitin 2018, në shenjë revolti kundër arrestimeve të funksionarëve të VMRO-së për dhunën e 27 prillit në Kuvend.
“Kjo është koha kur ushtrohet terror dhe dhunë ndaj qytetarëve dhe institucioneve, është koha e kërcënimeve dhe presioneve të mëdha, largimeve të punës, është koha e shkeljes së të drejtave të njeriut e tradhtisë, rrezikimit të rendit kushtetues dhe është koha e hakmarrjes politike që e bën LSDM në krye me Zoran Zaevin”,- deklaroi këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Mihajlo Manevski.
Nga ana tjetër, kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, thotë se sjellja e tyre është e paarsyeshme dhe Qyteti i Shkupit nuk është vendi ku duhet shprehur revolti.
Buxheti themelor i qytetit është rreth 70 milionë euro, ndërsa me gjithë dotacionet kap shumën prej 100 milionë eurosh, tha Shilegov duke paralajmëruar ndërtimin e dy urave, gjelbërimin e qytetit, autobusëve ekologjikë, fasada energjetike të shkollave të mesme, zgjedhjen e problemit me qenët endacakë dhe ekologjinë në përgjithësi.
“Buxheti i Qytetit të Shkupit është për 10% më i ulët se vitin e kaluar. Ky buxhet do të mundësojë stabilizim fiskal të qytetit të Shkupit, duke marrë parasysh se trashëguam shpenzime prej rreth dy miliardë e 800 milionë denarë dhe njëherit ofruam komponentë zhvillimore që të mund të realizohet programi i paraparë i qytetit, që ka të bëjë me fillimin e projekteve infrastrukturore dhe përfundimin e projekteve të filluara”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Sipas Shilegovit, si asnjëherë më parë në buxhetin e Qytetit të Shkupit për thuajse tre herë më shumë janë rritur mjetet për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Njëherit, Këshilli i Qytetit ndaloi deri në muajin mars furnizimin me mall në qendër të Shkupit prej orës 7 e 30 deri në orën 18, si masë për uljen e ndotjes së ajrit.