
Edhe përkundër ankesave të qytetarëve, akoma nuk dihet nëse do të rikthehet ose jo qarkullimi i dy linjave të transportit publik me numër 9 dhe 19, linja këto të cilat konsiderohen si më të frekuentuarat në Qytetin e Shkupit. Nga Qyteti i Shkupit thanë për televizionin Shenja, se një çështje e tillë do të shqyrtohet në seancat e ardhshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit.
“Për ndryshimin eventual të orarit të caktuar vendos Këshilli i Qytetit të Shkupit. Orari i tanishëm është miratuar gjithashtu në seancën e Qytetit të Shkupit, në të cilin nuk kishte vërejtje në lidhje me orarin e tanishëm. Kjo çështje do të shqyrtohet në një nga seancat e ardhshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit.”, kanë thënë nga NTP për TV SHENJA.
Këto dy linja deri në fund të vitit 2016 përpos autobusëve privat, mbuloheshin edhe me autobusët e Ndërmarrjes Publike “Transporti Publik Shkup”, dhe me vendim të Qytetit të Shkupit autobusët publik u larguan nga qarkullimi.
Pas një vendimi të tillë, reaguan banorët të cilët shfrytëzonin këto dy linja, gjë që ndikoi që këshilltarët shqiptarë në Qytetin e Shkupit, të realizojnë një takim me kryetarin Koce Trajanovski, me qëllim të tejkalimit të problemit me këto linja publike të autobusëve. Takimi u realizua prapë dyerve të mbyllura, ndërkaq të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e NP “Transporti Publik Shkup” dhe përfaqësues të Sektorit të komunikacionit në kuadër të qytetit.
Përndryshe, nga 1 janari i këtij viti në transportin publik që funksionon në Qytetin e Shkupit, është futur në përdorim sistemi elektronik i pagesës, i cili gjatë dy viteve të kaluar vazhdimisht ka qenë i promovuar nga drejtuesit e ndërmarrjes publike dhe vetë drejtuesve të Qytetit të Shkupit. Në ndërkohë, edhe pse kanë kaluar dy javë nga implementimi i këtij sistemi të ri pagesor, pjesa dërmuese e qytetarëve janë të hutuar për atë se si funksionojnë kartelat elektronike, përfshi edhe oraret e reja të autobusëve.
Ajnur Bafqari /SHENJA/