Kjo është një parcelë private në lagjen Draçevë në pjesën e Zonës Industriale, të cilën pronarët e kanë paraparë për të ndërtuar një objekt prodhimtarie. Por, e njejta parcelë u bë mollë sherri, në momentin kur kompania e energjisë elektrike EVN, i ka njoftuar pronarët se në një pjesë të kësaj parcele, duhet të vendoset një shtyllë e re nga grila çeliku, gjë që ka shkaktuar përplasje në mes të të dyja palëve.
Nga kompania EVN, të shoqëruar nga forcat policore i filluan punimet për vendosjen e kësaj shtylle, ndërkaq që pronarët nuk pajtoheshin me një gjë të tillë.
Sipas pohimeve të birit të pronares së kësaj parcele, Abdurrahim Imeri, kur e kanë blerë këtë parcelë, nga Komuna e Kisella Vodës i kanë informuar se nuk ka asnjë lloj problemi, dhe e njëjta mund të shfrytëzohet për të ndërtuar objektin të cilin ata dëshironin ta ndërtonin.
“Prona e imja, ndërkaq vendimin e ka dhënë gjykata, unë nuk e di si mund gjykata të jep vendim të tillë që në mes të parcelës, të vendoset shtylla. Ky është një dëm shumë I madh, ky është krim, në një parcelë mbi 200 mijë euro, njeriut t’ia vendosish shtyllën në mes të parcelës, ta shkrijsh, ky faktikisht mua më shkrin. Ky është kancer”, deklaroi Imeri.
Ndërkaq, zëdhënësi i EVN-së Atanas Kovaçevski, tha se me vendim të Gjykatës, pronarët obligohen që të mos e pengojnë vendosjen e shtyllës.
“Me mosvendosjen e shtyllës së re nga grila çeliku në largpërçuesin për Draçevë, në rrezik të madh është sjellur furnizimi me energji elektrike të 50.000 konsumatorëve nga Draçeva dhe qyteti i Shkupit. Por EVN nuk guxon t’a vendos në pyetje furnizimin e 50 000 qytetarëve dhe për atë shkak me këtë vendim gjyqësor ekzekutues filluam ta vendosim shtyllën. Me këtë vendim gjyqësor personat Z.I. nga Studeniçani, S.I. nga Studeniçani dhe A.I. nga Shkupi obligohen të mos e pengojnë vendosjen e shtyllës”, tha Kovaçevski.
Pronarët e parcelës dhe kompania EVN, nuk kanë arritur një gjuhë të përbashkët për vendin ku mund të vendoset kjo shtyllë pa u dëmtuar asnjëra palë.
“Ata kërkonin që të ja fali pronën me notar, të ju ndërtoj mur mbrojtës që kushton 30 mijë euro. Dhe atëherë do ta vendosim në një kënd shtyllën…U kam ofruar që të ua shes, por ata kërkojnë vetëm 100 metër katrorë, ndërkaq kjo është 2314 metër katrorë. Çfarë do bëj unë mandej nuk mund të ndërtoj asgjë, 17 metra rreth shtyllës, ndërkaq që e gjithë parcela është 20 metra rreth. Mu më mbesin vetëm 3 metra, çfarë do të bëj, as një kënd nuk mund të vendoset. Ndërkaq parcela është paguar 200 mijë euro”, tha Imeri.
Nga EVN thonë se kanë ofruar të gjitha mundësitë, por se pronarët nuk duan që të arrijnë marrëveshje.
“Kur ju thashë se jemi të gatshëm për gjithçka, ne kemi pranuar gjithçka. Duhet patjetër të ketë një mur mbrojtës, sepse aty ka shembje… Ata nuk deshën të investojnë mjete financiare”, tha Kovaçevski.
Kovaçevski tha se ky largpërçues egziston shumë vite përpara se këto përdorues të paraqiten si pronarë të kësaj parcele.
“Kur para dy vitesh u shemb toka dhe ra shtylla, vendi ku tash duhet të vendoset shtylla e re i takonte R. së Maqedonisë ndërsa konsumator ishte krejtësisht tjetër person”, tha Kovaçevski.
Ndërkaq pronarët e mohojnë një gjë të tillë.
“Nuk ka pas shtyllë asnjëherë këtu. As nuk ka qenë e paraparë që të ketë shtyllë. Kam dokument prej komunës, që nuk ka qenë e paraparë”, tha Imeri.
Në dy vitet e fundit kjo tokë është privatizuar dhe blerë nga konsumatorët aktual. Për dy vjet EVN negocion me pronarët ndërsa nuk kanë arritur kompromis për vendosjen e kësaj shtylle.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Qytetari akuzon EVN-në për pengimin e pronësisë… by tvshenjaofficial