Mëngjesi i sotëm e gjeti Shkupin me shumë zhurmë dhe komunikacion të stërngarkuar, posaçërisht në “ Radhët Partizane”.
Sirena të njëpasnjëshme të cilat jepnin “ alarmin” se pjesmarrësist në komunikacion po vonoheshin për të shkuar në punë apo për të realizuar obligime të tjera, pasi nevojiteshin rreth 60 minuta për kalimin e bulevardit “ Radhët Partizane”, shkruan Almakos.
E gjitha kjo, siç njoftuan nga MPB, bëhet për shkak se sonte do të mbahet tubimi parazgjedhorë i VMRO-DPMNE-së dhe për këtë arsye është mbyllur bulevardi “ Ilinden” duke sjellë ri-kahëzimin e komunikacionit në të dy akset para Qeverisë.
“Ri-kahëzimi është në pjesën e udhëkryqit me bulevardin “Goce Dellçev” deri te udhëkryqi me bulevardin “Shën Klimenti i Ohrit”. Qarkullimi do të zhvillohet nëpër bulevardin “Aradhet Partizane”, në të djathtë të bulevardit “Shën Klimenti i Ohrit” dhe nëpër bulevardin “Goce Dellçev” dhe në të majtë nëpër bulevardin e “VMRO”, theksojnë nga MPB-ja.
Ndërkohë, qytetarët të pyetur nga Almakos, thonë se janë lodhur nga përsëritja e situatave të njëjta sa herë që në vend pritet të mbahen zgjedhje. Sipas tyre nuk është e logjikshme që të bllokohen rrugë të caktuara dhe të mbingarkohet komunikacioni për shkak se mund të mbahet ndonjë tubim parazgjedhor.
“ Kam 30 minuta që kam lëvizur nga vendi vetëm 200 metra, kjo s’është normale. Ne kemi obligime, të gjithë ne. Jemi vonë për në punë, nuk mund ta arsyetojmë tek eprorët “ Mbetem vonë për në punë, se po përgatitej tubim I VMRO-së”- tha një qytetar i revoltuar.
“ Jo, nuk e di pse komunikacioni është kaq i rWnduar, ndoshta ka ndonjë aksident. Të shpresojmë që jo”- tha një tjetër qytetar, i cili nuk e dinte arsyen e bllokimit të komunikacionit.
“ Po çfarë tubimi, jemi lodhur me fushata, me premtime. Çka se do të mbajnë tubime?! Nuk rregullohet gjendja nw vend me tubime. Duhet punë. Kjo s’është normale, më shpejt do kisha lëvizur në këmbë se sa me veturë. ”- tha një i moshuar.
“ Fushata i ka këto. Tani mirë do ishte që të kishte një zgjidhje që qytetarët të mos mbesin vonë për realizimin e obligimeve të tyre”- tha një qytetar i bllokuar në komunikacion.
Për shkak të tubimit parazgjedhor prej mbrëmë nga ora 22:00 e deri të
shtunën në orën 02:00, qarkullimi në bulevardin “Ilinden” do të ri-kahëzohet në të dy akset para Qeverisë.
Megjithatë ky nuk është rasti i vetëm që rrugë të caktuara bllokohen për shkak të mbajtjes së tubimeve parazgjedhore. Gjatë 70 ditëve të fushatës raste të tilla janë përsëritur shpesh, duke bërë që qytetarët të lodhen edhe më shumë nga zgjedhjet e shpeshta në vend.
/Almakos.com/
Përgatiti: Evi Shkopi