Kriza e thellë politike e cila po zgjat tashmë një periudhë të gjatë kohore, ka bërë që shumica e qytetarëve të jenë skeptik kur bëhet fjalë për përmirësimin e situatës në Maqedoni. Gjatë një ankete të realizuar sot, shumica e qytetarëve u shprehën se nuk presin që situata në vend të përmirësohet dhe vendi të ec përpara madje edhe pas formimit të Qeverisë së re.
“Nuk presim asgjë pozitive. Nuk shkon kah e mira”, tha një qytetar.
“Çka pres?! Nuk kanë mend, aq mund të them. Ajo është e gjitha. Vetëm për varfërinë bëjnë dëm, asgjë tjetër. Ata që nuk janë të aftë të mos qëndrojnë në Qeveri”, tha një qytetar tjetër.
Duke u bazuar në situatat që kanë ndodhur viteve të fundit, qytetarët theksojnë se në Maqedoni nuk mund të parashikosh asnjëherë se çfarë mund të ndodh.
“Në këto momente që shohim se çfarë po bëhet nuk kemi çfarë të presim nga Qeveria e re. Këtu mentalitet të Ballkanit ka, kjo do të vazhdoj një periudhë të gjatë ai këtë, ky këtë. Ai të poshtërson, të ofendon , t’i bën gjitha të këqijat dhe ti sërish ia jep votën. Nuk mund ta kuptoj kulturën e këtij populli, si mundesh përsëri t’ia japësh votën të të poshtëron, ofendon, rreh, vjedh, të të bëjë torturë dhe ti përsëri t’ia japësh 50% të votës. Mua nuk më hyjnë në kokë disa çështje”, deklaroi një qytetar.
Megjithatë, ka dhe prej atyre që kanë shpresa se me formimin e Qeverisë së re, gjërat do të fillojnë të ndryshojnë në vend.
“Dhashtë Zoti të jemi më të sigurt dhe të marrin paga të rregullta dhe të ecim përpara”, tha një qytetar.
“Presim diçka më mirë por nuk e dij. Po mendojmë pak se ma mirë do të jetë”, u shpreh një qytetar.
Qytetarët vlerësojnë se shpresa e vetme për stabilizim mbetet faktori ndërkombëtar, në të kundërtën kjo situatë aktuale do të vazhdojë edhe një periudhë të gjatë.
Teuta Buçi /SHENJA/
Qytetarët skeptik për përmirësimin e situatës by tvshenjaofficial