Në Qendrën e Shëndetit Publik në Kumanovë vërehet një rënie e numrit të të sëmurëve nga gripi. Nga institucioni publik bëjnë të ditur se presin që numri të vazhdojë të ulet. Personat e moshës 15 deri në 64 vjeç, qytetarët e punësuar dhe një numër më i vogël fëmijësh janë më të prekurit. Rënia e numrit, thonë ata, vjen edhe nga respektimi i masave parandaluese, për dallim nga periudha e pandemisë në Kumanovë, në vitin 2018/19, ku ka pasur mbi 2.000 raste të të sëmurëve me grip.
“Gjatë javës së gjashtë janë raportuar vetëm 11 raste të gripit apo gjendjeve të ngjashme me gripin. Krahasuar me javën e kaluar ka një rënie të lehtë, sepse në javën e pestë janë raportuar vetëm 16 raste, ndërsa numri më i madh në javën e katërt. Pra, numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara në janar është 214. Krahasuar me të gjithë sezonin 2021-22 kemi gjithsej 221 raste.”, tha dr. Jadranka Stamenkovska, epidemiologe në QShP -Kumanovë .
Duke qenë se bëhet fjalë për infeksion, punonjësit shëndetësorë këshillojnë që të bëhet ajrosja më e shpeshtë e ambienteve, izolimi i të sëmurëve, si dhe ushqyerja me vitamina. Ata bëjnë të ditur gjithashtu se këtë vit ka pasur një interesim më të madh ndaj vaksinimit kundër gripit sezonal.
“Ka pasur interesim të madh tek personat që kanë dashur të vaksinohen përmes “Termi im”. “Jo vetëm ato grupe që janë të rekomanduara dhe të rrezikuara, por ka pasur interesim të madh nga ata njerëz që punojnë në administratë dhe vijnë në komunikim me një numër të madh të njerëzve.”, tha Stamenkovska.
Sipas analizave të Institutit të Shëndetit Publik, në Kumanovë qarkullon gripi A, i cili përfundon me pasqyrë më të lehtë klinike.



