Në seancën e djeshme të procesit gjyqësor, ku paditem nga kryetari i Komunës së Strugë z. Ramiz Merko ngaqë e paskam ofenduar me shkrimin që e cilëson atë të korruptuar, pasi mbyllet procesverbali, z. Merko i prekur në sedër që unë këmbëngul në deklaratën time, i thotë avokatit të tij që t’i kërkojë gjykatës verifikimin e gjendjes time shëndetësore, sepse, sipas tij, një njeri normal nuk ka se si mund ta marrë të drejtën ta akuzojë atë për korrupsion.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka qenë, në fakt, shumë më i ashpër ndaj Ramiz Merkos sesa unë. Përderisa unë denoncova vetëm atë personalisht për korrupsion, DASH në akuzën e tij ka përfshirë edhe familjen e z. Merko. Në Listën e Zezë janë futur jo vetëm ai, por e tërë familja e tij.
Për ta bërë padinë kundër meje më të fuqishme, rrjedhimisht për të qenë edhe ndëshkimi i gjykatës ndaj meje më i rreptë, Ramiz Merko ishte vizituar te një psikiatër. Zonja FIlov, psikiatrja nga Manastiri, kishte konstatuar se z. Merko, pasi kishte lexuar shkrimin tim, qenka prekur aq shumë, saqë ka përjetuar dhimbje dhe shqetësime të rënda shpirtërore që kanë zgjatur për një muaj. Kurse pas një muaji, vuajtjet shpirtërore të z. Merko kanë vazhduar edhe për tre muaj të tjerë, por disi me intensitet më të lehtë.
Tani, nëse vetëm një deklaratë e imja ka arritur t’i shkaktojë z. Merko të gjithë ato vuajtje shpirtërore dhe t’ia rëndojë kësisoj gjendjen e tij shëndetësore për katër muaj rresht, duke e bërë atë të paaftë për të funksionuar dhe punuar normalisht, është e udhës të pyesim se cilat janë pasojat psiqike, shpirtërore dhe shëndetësore pas akuzës që ia bën atij Departamenti Amerikan i Shtetit. Dhe jo vetëm atij, por atij dhe të gjithë familjes së tij.
Një tjetër fakt që duhet të merret parasysh këtu është, që për ato katër muaj kur z. Merko ka qenë i paaftë ta ushtrojë detyrën me ndërgjegje të plotë, për shkak të vuajtjeve të rënda shpirtërore, duhet të zhvillohet një revizion ndaj të gjithë vendimeve, akteve dhe dokumenteve të nënshkruara në Komunë.
Racionaliteti i vendimet e marra nën një gjendje të atillë, siç e përshkruan psikiatrja Filov, duhet të vihet në pikëpyetje.
(Këtu, faqja e fundit të diagnozës 9 faqeshe të psikiatres Filov pas ekzaminimit që ajo i ka bërë z. Merko, pas ankesave që ai ka pasur si pasojë e shkrimit tim)