Edhe çfarë tjetër duhet të bëjë kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko që t’i hiqen të gjitha kompetencat në arsim dhe urbanizëm?
A ka marrëveshje me Ramiz Merkon që ai të mos preket? Nuk ka shpjegim tjetër racional.
Ka kohë që në Strugë qarkullojnë muhabete se ai ka investuar, u ka dhuruar mjete të majme, të gjithë partive politike, si një lobist i pasur, për t’u siguruar nga të gjithë anët. Kushdo që të fitojë, ai do mbetet si veshka në dhjamë. Të shpresojmë se këto janë vetëm llafe nga gojët e liga.
Megjithëse është në Listën e Zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, megjithëse deri tani janë 8 padi penale nga Prokuroria publike për korrupsion dhe keqpërdorim me detyrën si kryetar komune, ai vazhdon procesin gjyqësor kundër meje, sepse në një postim e cilësova si të korruptuar. Nga e merr gjithë këtë konfidencë, nga e gjen gjithë këtë rehati kjo figurë publike, tash e 25 në pushtet aktiv.
Ramiz Merko duhej të luftohej nga qeveria si shenjë e vullnetit të hekurt kundër korrupsionit. Pa e pritur epilogun e padive të ngritura nga Prokuroria publike, duke e ditur edhe gjendjen e sistemit të drejtësisë, dy ministritë, ajo e Transportit dhe ajo e Arsimit, ndër vendimet e para të qeverisë, duhet të ishin heqja e kompetencave në urbanizëm dhe arsim.
Ai aktualisht përballet me 8 padi nga ana e Prokurorisë publike, shumica e të cilave janë në fushën e arsimit. Por z. Merko vazhdon të ushtrojë kompetencat e tij si kryetar komune në arsim, përveç në dy shkollat komunale, në Drasllajcë dhe Podgorcë. Shkeljet e bëra në arsim, të konstatuara edhe nga institucionet përkatëse, janë skandaloze dhe duan veprim urgjent. Çka i duhet më tepër Ministrisë së Arsimit që të marrë vendimin për heqje të tërësishme të kompetencave në arsim për Ramiz Merkon?! Nëse ky pushtetar i dëmshëm nuk izolohet, dëmi vetëm sa do të rritet dhe bëhet më i pakthyeshëm. Disa dëme janë të pakthyeshme. Sidomos ai që bëhet përmes universitetit të tij. Dëmi i diplomave të blera. I diplomave që shumëzojnë injorancën.
Janë skandaloze sidomos rastet në shkollat e Veleshtës, Ladorishtit, Labunishtit, Dollogozhdës, Strugës e të gjithave me radhë, pa përjashtim.
Të mos flasim për përzgjedhjen e kuadrove joadekuate për mësimdhënës, ku shkronjat e hapat e parë në shkollë, fëmijëve ua mësojnë juristë apo ekonomistë me “diploma” të dyshimta nga kiosku i Ramiz Merkos e që lidhje nuk kanë me mësimdhënien. Kjo ndodh ndërkohë që ka ende edukatorë/e apo pedagogë/e të paraqitur si të papunë në Agjencinë për Punësim. Apo të mos flasim për mungesën e mësuesëve të Matematikës që zëvendësohen me të madhe me kuadër absolutisht jokompetent, joadekuat. Apo për administratorë të shndërruar në biologë e kimistë, për shkencëtarë të shndërruar në mësues vizatimi apo edukate fizike, për gjuhëtarë që japin lëndën e muzikës e plot çudi tjera.
………..
Po në Urbanizëm? Merko shquhet si kryetari uzurpator i pronës publike, si njeriu që nuk la gjallë asnjë vlerë historike e arkitektonike të Strugës. Ndërtimet pa leje janë “specialiteti i Merkos”. Çdo gjë ka ndodhur në sy të të gjithëve, madje në sy edhe të institucioneve që duhet ta luftojnë këtë fenomen. Janë thënë e janë stërthënë vite radhazi keqpërdorimet e Merkos në urbanizëm, por përveç disa nismave në prokurori e gjyqësi (që përfundojnë ende pa nisur), deri sot nuk kemi parë gjë konkrete. Çdo ditë ndërtohet pa leje në gjithë territorin e Strugës. Inspektorët komunalë, të gjithë nën urdhrat e Merkos, janë të paaftë për ta kryer detyrën e tyre siç duhet. Ose iu pamundësohet nga kryetari!
Në Strugë ka ndodhur që të digjen objektet brenda natës e në mëngjes të fillojë ndërtimi i objekteve të reja, pa leje fare ose me “leje të dyshimta”, nga njerëz sponzorë të Ramiz Merkos. Në Strugë shitet prona publike me ankande e tendere të kurdisura me qëllim që blerësit të jenë “ortakët” e Ramizit apo ndonjë militant e sponzor partie. Nëse ndodh që procedura e tenderit të shkojë “keq” dhe rrezikohet që blerësi të jetë dikush tjetër, ndonjë biznesmen a qytetar i ndershëm e i zakonshëm, atëherë tenderi anulohet brenda natës, pa sqarim.
……..
Pastaj administrata komunale e stërmbushur me persona që vetëm marrin rrogë (në përjashtim të një numri të vogël profesionistësh që meritojnë respekt). Punësime pa kurrfarë kriteri. Mjafton të kesh në dorë një “diplomë” universitare nga ato që jepen te biznesi privat i Merkos dhe të sigurohet vendi i punës në komunë, në ndonjë ndërmarrje komunale apo me fat edhe në ndonjë shkollë. Administrata komunale, përveç se e stërngarkuar është edhe joefikase, dhe me shërbime katastrofale. Në komunë punojnë 300% më shumë administratorë se sa ka nevojë një komunë me kaq banorë sa Struga. Të gjithë të zënë peng për një rrogë të vogël sa për ta mashtruar veten se punojnë, vetëm e vetëm ta votojnë e rivotojnë Ramizin dhe partinë e tij të kriminalizuar.
Megjithëse janë bërë një vit e gjysmë qyshse kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, së bashku me të gjithë familjen e tij, është shpallur Nongrata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ai vazhdon ta ushtrojë detyrën e kryetarit të komunës thua se nuk ka ndodhur asgjë.
Në këto momente kur shkruhen këto rreshta, Ramiz Merko mbrohet nga një numër i madh i forcave të policisë për shkak të mashtrimeve që u ka bërë qytetarëve të shumtë. Dikujt i ka plasur filmi nga keqqeverisja e tij, nga abuzimi me detyrën nga ana e tij dhe nga ana e bashkëpunëtorëve të afërm.
Fatkeqësisht, më duhet të bëj një autokritikë, duke konstatuar se, tash e disa muaj, më saktë prej parafushatës për zgjedhjet paralamentare, ka një heshtje absolute të opozitës apo opozitave ndaj BDI-së dhe kryetarit të Komunës në Strugë. Janë plot skandale e pisllëqe të kryera nga drejtuesit e Komunës që heshten, sepse s’ka kush t’i nxjerrë në pah. Skandali me ndriçimin e qytetit, dështimi total i investimit të ndriçimit të shtratit të Drinit të Zi, skandali me siguracionet e automjeteve në pronë të Komunës, janë vetëm disa skandale që nuk i di kurrkush sepse s’ka opozitë dhe shoqëri civile që i t’i bëjë publike dhe t’i kthejë në çështje. Opozita do të shfaqet ironikisht vetëm në kohën e fushatës. Atëherë do të shfaqen “trimat”, do të brofin nga kaçubat si kaçakë për t’i dalë fer “bajlozit” të Komunës. Po atëherë shpesh ose gjithmonë është vonë.
Ramiz Merko nuk ka qeverisur kurrë më rehat se tani dhe kjo është për t’u çuditur!
Të heshtësh tani kur atij i rëndojnë gjithë këto padi bashkë me Listën e Zezë të DASH-it, është paaftësi në rastin më të mirë, bashkëpunim në rastin më të keq!