Një ekskavator dhe një kamion i angazhuar nga DMSh Tetovë po punojnë për pastrimin e pjesës më kritike të fshatit Reçicë e Vogël, ku ende ka rrëshqitje dheu, gurë, drunj dhe baltë pas stuhisë që goditi dje Tetovën dhe rrethinën, transmeton Portalb.mk.
Nga Qendra për menaxhim me kriza njoftuan sot se në ndihmë pritet të vijë edhe një ekskavator tjetër nga NPK Tetovë, pasi ekziston frika se rruga mund të shkatërrohet plotësisht dhe të rrezikohen personat që jetojnë në afërsi.
Paraprakisht, banorët e Reçicës së Vogël në Tetovë u ankuan se rruga “101”, e njohur ndryshe si rruga e “UÇK”-së është e bllokuar si pasojë e vërshimeve dhe se komuna nuk po intervenon në pastrimin e saj. Komuna e Tetovës nuk është përgjigjur për këtë rast.
Reshjet e shiut të mbrëmjes të së hënës shkaktuan vërshime në shumë pjesë të Tetovës dhe fshatrave në rrethinë. Prej tyre edhe në fshatin e Reçicë të Vogël.