Tema të interesit të përbashkët, me fokus në bisedimet për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Maqedonisë dhe Bullgarisë do të shqyrtohen në mbledhjen e përbashkët të qeverive të dy vendeve, e cila do të mbahet më 23 nëntor në Strumicë, kumtoi sot shërbimi për shtyp i Qeverisë bullgare. Paraprakisht, edhe Qeveria e Maqedonisë, kumtoi MIA, solli vendime për mbledhje të përbashkëta me Bullgarinë, si dhe me Shqipërinë më 2 dhjetor. Mbledhja e dy qeverive do të përfundojë me vendosjen e kurorës me lule në përmendoren e presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski (1999-2004).
Mbledhja e përbashkët është vazhdimësi e dialogut pozitiv dhe partneritetit mes dy vendeve, ceket në kumtesën nga shërbimi për shtyp i Qeverisë bullgare. Mbajtja e mbledhjes së përbashkët ishte dakorduar gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Bojko Borisov në fillim të gushtit, kur u nënshkrua Marrëveshja për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë mes dy shteteve.