Pas katër viteve në krye të Prokurorisë, Marko Zvërlevski gjendet para shkarkimit.
Qeveria sot do të miratojë propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvërlevski dhe menjëherë pas mbarimit të seancës propozimi do të dërgohet në Kuvend.
Sipas sekretarit të Qeverisë Dragi Rashkovski, edhe pse Kuvendi për sot nuk ka paraparë të zhvillojë seancë, propozimi do të dërgohet në Kuvend dhe do të gjejë miratim në momentin që do të thirret seancë. Kuvendi pasi të marrë propozimin e Qeverisë të përfshirë edhe me mendimin e Këshillit të Prokurorëve, do ta vëjë në rend dite votimin për shkarkimin e kryeprokurorit.
Për përfundimin e mandatit të tij nevojitet shumicë e thjeshtë prej 61 votave të deputetëve.
Zvërlevski në këtë post erdhi në vitin 2013 nga departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion. Deri sot rrallë përgjigjej në pyetjet para ekipeve të gazetarëve. Zvërlevski do të mbahet mend sipas mosveprimit të tij ndaj lëndëve, si për shembull, “Makedonska Banka” dhe “Aktor”, ndërsa “Bombat” e LSDM-së ndonëse i kishte tërësisht, mbetën në sirtarët e tij me muaj të tërë.
Kryeprokurori Publik duhet të jetë personalitet i pa kompromis, personalitet i respektuar në mjedisin ku jeton dhe punon, personalitet që nuk u nënshtrohet presioneve, tha Kryeministri i vendit Zoran Zaev për mediat në vend./Almakos

