Qeveria e Kosovës ka reaguar pas letrës së Bashkimit Evropian, në të cilën njoftohej se zyrtarët e BE-së nuk do të zhvillojnë takime brenda ndërtesës së ekzekutivit derisa vendi të ketë qeveri me mandat të plotë.
Në letrën e dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, më 8 gusht, ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, sqaroi se vendimi erdhi pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit. Përmes këtij aktgjykimi, u shpall i pavlefshëm një udhëzim administrativ i nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi gjykata argumentoi se ministrat që janë deputetë nuk kanë të drejtë të nxjerrin akte nënligjore.
“Vizitorët e nivelit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e saj do të përmbahen përkohësisht nga mbajtja e takimeve me kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të vijë një qeveri me mandat të plotë”, thuhet në letrën e Oravit.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministria është vendi i punës i Kurtit dhe kushdo që kërkon takim duhet të vijë aty. Megjithatë, ai shtoi se takime pune mund të zhvillohen edhe jashtë ndërtesës, me dakordim të palëve, ashtu siç ka ndodhur edhe më herët.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe ambasadorit Orav u mbajt më 25 korrik 2025, ku morën pjesë edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe ai i Shëndetësisë, Arben Vitia. Pas aktgjykimit të Supremes, Qeveria e kishte cilësuar vendimin si “shqetësues” dhe “arbitrar”, ndërsa Murati e kishte quajtur “absurd”. BE-ja reagoi duke e dënuar ashpër presionin ndaj gjyqtarëve.
Në letër, Orav theksoi se qëllimi është shmangia e paqartësive, si ato gjatë vizitës së fundit të emisarin për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, i cili më 6 gusht kishte zhvilluar takim me Kurtin në objektin e Qeverisë.
Kosova ndodhet ende me qeveri në detyrë që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kuvendi nuk është konstituuar prej 15 prillit, duke pamundësuar formimin e institucioneve të reja. Albin Kurti ka deklaruar se nuk mund të ketë vakum në qeverisje dhe se ai dhe kabineti i tij mbeten në detyrë që nga 23 marsi, kur përfundoi mandati i rregullt.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar 17 kallëzime penale ndaj Kurtit dhe ministrave të tij, duke i akuzuar për shkelje të Ligjit për Qeverinë.