Me ndryshimet ligjore, qytetarët do të kenë të drejtën e tyre për të zgjedhur furnizuesin e tyre për të gjitha emergjencat në tregun e lirë, tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Sipas tij, me këtë pritet që të tejkalohen konfliktet e interesit në pjesën e gazit dhe energjisë elektrike dhe do të mbeten të kënaqur të gjitha palët.
“Qytetarëve ua kthejmë të drejtën themelore, pra të drejtën e zgjedhjes, andaj me këtë mundësi të zgjedhjes qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin furnizuesin e tyre për energji elektrike dhe në këtë mënyrë çmimet e energjisë në Maqedoni të jenë më konkurrente”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ndryshimet ligjore në energjetikë kanë qenë obligim i Maqedonisë që nga viti 2014, por ky ligj asokohe nuk u soll, me çka pasuan sanksionet e BE-së me bllokim të fondeve. BE tërhoqi sanksionet dhe dha afat shtesë për sjelljen e këtij ligji deri në fund të qershorit, andaj zëvendëskryeministri Angjushev theksoi se sjellja e këtij ligji në pajtim me rregullativat europiane është prioritet për Maqedoninë.
“Ligji është i përgatitur dhe në pajtueshmëri me Shoqatën energjetike dhe me ndihmën e tyre është formuar që të jetë maksimalisht në pajtueshmëri me rregullativën europiane”,- tha zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.
Angjushev theksoi se Qeveria deri në fund të vitit do ta dorëzojë në Kuvend ligjin për energjetikë, ku me procedurë të rregullt do ta sjellë deri në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa liberalizim i tërësishëm i tregut të energjisë elektrike është e mundur të realizohet në fund të vitit 2018.