Alsat 2019-07-14T16:03:07+02:00
Qeveria nuk sqaron paqartësitë rreth thirrjes publike të Komisionit për selektimin e të punësuarve nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim dhe kalimin e tyre në Agjencinë për Siguri Kombëtare. Alsat dërgoi pyetje në ekzekutiv, institucion nën mbikqyrjen e të cilit është Agjencia e cila zëvendëson DSK-në. Nuk ka akoma përgjigje se pse qëveria lejon bartjen e të punësuarve nga DSK-ja në ASK pa miratimin e aktit të sistematizimit të kuadrove. Po ashtu, nuk morëm përgjigje se cila Agjenci do ta bëjë tekstin e integritetit për kandidatët që duhet të barten duke qenë se nuk ka pasur tender për këtë gjë. Qeveria nuk ka sqarime as se si do të pengohet nepotizimi në Agjencinë për Siguri dhe Kundërzbulim duke pasur parasysh se në DSK ky fenomen është shumë prezent. Ndërkohë, nga ky institucion nuk konfirmojnë as nëse kanë kërkuar llogari nga drejtori i ASK-së Viktor Dimovski për mos-respektimin e ligjit në lidhje me propozimin e emrit të zëvendësit të tij. Për këto dhe paqartësi të tjera Alsat njoftoi një ditë më parë. Pas publikimit të informacineve në Alsat, nga sekretariati i përgjithshëm i qeverisë konfirmuan se është publikuar thirrja publike për bartjen e të punësuarve nga DSK-ja në ASK dhe që do të zgjasë pesë ditë punë, gjegjësisht nga e hëna në të premte.
Siç mësoi Alsat nga burimet e tij, deri të premten, të punësuarit në DSK që pretendojnë të kalojnë në Agjencinë e re duhet të përmbushin disa kushte, përveç atij që të jenë të punësuar të DSK-së duhet të mos jenë anëtarë partiak, të mos kenë shtetësi të dyfishtë dhe të mos ketë konflikt interesi partiak ose biznesor. Megjithatë, Agjencia akoma nuk posedon akt sistematizimi prandaj dhe nuk dihet mbi cilat kritere do të bëhet shpërndarja e kuadrit të ri. Të punësuarit e DSK-së për të kaluar në ASK duhet të japin pëlqim që do t’i nënshtrohen vullnetit të institucionit për testin e poligrafit, kontrollit për certifikatë sigurie dhe testit të integritetit. Përfaqësimi i drejtë etnik garantohet me ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare mirëpo mungesa e aktit të sistematizimit nuk është garanci për përfaqësim të drejtë etnik në pozita drejtuese. Aktualisht në DSK vetëm pesë të punësuar janë në pozita drejtuese.
Nga rreth gjithsej 650 të punësuar në DSK, në filtrat e bartjes pritet të kalojnë rreth 400. Pjesa e mbetur do të shpërndahen në Ministrinë e Punëve të Brendshme ose institucione të tjera. Përveç aktit të sistematizimit, përpara shpalljes për bartjen e të punësuarve duhet të kishte përfunduar edhe procedura për zgjedhjen e zëvendës drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare. Zv.drejtorin e propozon drejtori Viktor Dimovski por e zgjedh qeveria.
Fatlume Dervishi
Loading…



