Me propozim të Ministrisë për Çështje Evropiane dhe institucioneve përkatëse, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar Propozim-Ligjin për Shkollat e Mesme të Komuniteteve Fetare. Ky ligj njeh në mënyrë të barabartë diplomat e medresesë me ato të shkollave të tjera të mesme në vend.
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, e cilësoi këtë vendim si një hap domethënës drejt barazisë në arsim dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve fetare.
“Dita e sotme është ditë e madhe për besimtarët në vendin tonë, ditë e madhe për medresenë!”, deklaroi ai.
Ky vendim i jep fund një trajtimi të pabarabartë që prej vitesh e ka penguar njohjen e diplomave të medresesë dhe shkollave të tjera fetare. Me ligjin e ri, të diplomuarit nga këto shkolla do të kenë të njëjtat mundësi për të vazhduar studimet universitare dhe për t’u përfshirë në tregun e punës.
Kjo nismë njeh kontributin e institucioneve fetare në edukimin dhe formimin e të rinjve, duke forcuar gjithashtu parimet e barazisë dhe përfshirjes në sistemin arsimor të vendit.