Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, është takuar sot me kryetarin e Lëvizjes BESA, Afrim Gashi në Qeveri, njofton SHENJA.
Në këtë takim është biseduar për proceset katuale të reformave, me theks të veçantë për integrimet euro-atlantike, si dhe proceset ekonomike në Republikën e Maqedonisë, njoftojnë nga Qeveria përmes një komunikate me shkrim.
“Kryeministri Zaev e ka informuar kryetarin e Lëvizjes BESA, Gashi, për rrjedhën e bisedimeve në lidhje me problemin të cilin Republika e Greqisë e ka me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, duke potencuar se procesi gjendet në fazën kyçe dhe se ekzistojnë dallime mes palëve negosiuese, por se ekziston optimizëm për gjetjen e zgjidhjes e cila do t’i mbronte dinjitetin dhe identitetin e qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Në kuadër të takimit është dakorduar se bisedimet mes kryeministrit Zaev dhe liderit të BESËS, Gashi, do të vazhdojnë gjatë muajit mars që të sigurohet bashkëpunim i mundshëm në nivel parlamentar dhe qeveritar.