Në orët në vazhdim pritet që Qeveria kosovare të deklarohet rreth vendimit për doganat e rritura për pemët dhe perimet, kumtoi sot ministri i Bujqësisë Lupço Nikollovski.
Nikollovski në pres-konferencën e Qeverisë tha se pret rezultat pozitiv, gjegjësisht tërheqja e masave.
“Vendimi duhet të tërhiqet. Të gjitha bisedat shkojnë në atë drejtim. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me kolegët kosovarë, ndërsa Qeveria e Kosovës që sot do të ketë seancë. Personalisht vlerësoj se në orët e ardhshme do të ketë moment të ri”, theksoi ministri.
Sipas tij, do të shqyrtohen të gjitha opsionet për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga masa kosovare e cila e stopoi eksportin e frutave dhe perimeve nga Maqedonia. Do të intervenohet në mënyrë adekuate, varësisht asaj se çka do të vërtetohet në terren.
Nikollovski edhe një herë konfirmoi se nesër në Beograd takim do të mbajnë ministrat e resorëve nga rajoni që të ndërmarrin qëndrim të përbashkët rreth masës kosovare.
“Pritëm disa ditë, vlerësoj se në orët në vazhdim do t’i kuptojmë momentet e reja nga Kosova”, nënvizoi ministri i Bujqësisë.