Qeveria e Maqedonisë nuk i pranon kritikat serioze të vëzhguesve ndërkombëtarë se gjatë zgjedhjeve lokale ka pasur shkelje flagrante të parimeve të OSBE për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, raporton Almakos.
Kritikat e ashpra të vëzguesve ndërkombëtarë se kryeministri Zoran Zaev ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve duke marrë pjesë në fushatën e kandidatëve për kryetar të komunave të LSDM dhe të partnerit të koalicionit BDI, blerja e votave dhe mënyra e diskutueshme e shqyrtimit të ankesave të partive për pa rregullësi zgjedhore nga Gjykata administative, nuk i kanë bërë përshtypje zëdhënësit të qeverisë, Mile Boshnjakovski.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë beson se zgjedhjet u zhvilluan në një ambient të drejtë dhe demokratik dhe qytetarët e vendit demonstruan vullnet të lirë”, ka deklaruar zëdhënësi Boshnjakovski, për Almakos.
Në deklaratën e tij, ai përmend anët pozitive të raportit se zgjedhjet kanë qenë konkuruese dhe se kanë kontribuar në përmirësimin e proceseve demokratike, por ka anashkaluar kritikat dhe nuk ka treguar se çfarë do të bëjë qeveria që të adresojë shqetësimet e ndërkombëtarëve.
“Qeveria do të bashkëpunojë me të gjithë kryetarët e komunave nga të gjitha komunat në Republikën e Maqedonisë”, thotë Boshnjakovski.
Kritikat e vëzhguesve nuk ka dashur t’i komentojë as Bashkimi Demokratik për Integrim. Ata as që kanë dëgjuar se vëzhguesit kanë kritikuar ndërhyrjen e kryeministrit në fushatën e zgjedhjeve lokale, për indikacionet për blerjen e votave dhe për lëshimet për mënyrën e shqyrtimit të ankesave të opozitës nga Gjykata administrative.
Nga Aleanca Shqiptare kanë ngritur shqetësimin se ndërhyrja e kryeministrit Zaev në fushatën për zgjedhjet lokale nuk është vetem shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve, por është edhe ndërhyrje direkte në vullnetin politik të Shqiptarëve.
“Në Komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullatës në raundin e dytë LSDM nuk ka pasur kandidat, por Zoran Zaevi është paraqitur me kandidatët e BDI-së duke kërkuar vota dhe në këtë rast ai është paraqitur në cilsinë e Kryeministrit dhe kjo është dëshmia se Zoran Zaev ka bërë ndërhyrje direkte në vullnetin politik të Shqiptarëve”, thotë Shefik Duraku nga Aleanca për Shqiptarët, për Almakos.
Pardje, drejtuesi i vezhguesve të OSBE, Audry Glover, në mënyrë të veçantë ka kritikuar veprimet e kryeministrit të vendit Zoran Zaev, i cili duke u përfshirë në fushatën e koalicionit qeveritar ka shkelur parimin e ndarjes së partisë nga shteti.
“Ky veprim i kryeministrit dëmtoi parimin e ndarjes së shtetit nga partia që është në kundërshtim me përkushtimet e OSBE-së. Kjo do të ndryshonte nëse Zaev nuk do të ishte kryeministër, por tani që mban atë post, si i tillë edhe identifikohet kur del në terren”, ka thënë Glover.
Delvina Kërluku
Almakos.com