Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos, vlerëson se ministritë e Punëve të Jashtme kanë bërë përparim të madh dhe se palët ndodhen në linjën finale. Por, sipas tij askush nuk mund të parashikojë rezultatin në negociata kaq të komplikuara. Ai është shprehur optimistë dhe tha se nevojitet durim për zgjidhje.
DIMITRIS CANAKOPULOS, ZËDHËNËS I QEVERISË GREKE
“Shpresojmë dhe jemi optimist se do të mund të arrijmë marrëveshjen në të cilën punojmë tashmë shumë kohë. Megjithatë, dëshiroj të kemi durim, duhet të kemi durim. Dhe pikërishtë këtë e bëjmë. Nuk është e rëndësishme të kemi marrëveshje, e rëndësishme është të kemi marrëveshje të mirë. Pas negociatave të shefave të diplomacies, janë mbyllur shumë çështje, por në një proces aq të ndërlikuar siç janë negociata për emrin nëse nuk dakordohet gjithçka, asgjë nuk është dakorduar”.
Canakopulos në intervistën e dhënë për TV ERT, në mënyrë indirekte ka përgënjeshtruar informatat se në tavolinën e bisedimeve ndodhet edhe një emër i ri duke thënë se po diskutohen vetëm propozimet e Nimicit dhe se ajo është korniza që ekziston gjatë negociatave.
Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm, Jorgos Katragulos tha se nevojitet që kryeministri Zaev të merr vendim të guximshëm.
JORGOS KATRAGULOS, ZËVENDËSMINISTËR I JASHTËM
“Momentalisht pesha e arritjes së marrëveshjes është me të vërtetë tek pala tjetër. Nevojitet vendim i guximshëm nga ana e kryeministrit Zaev për dy çështjet për të cilat kemi diskutuar, për ndryshime kushtetuese në lidhje me emrin dhe pranimin e zgjidhjes erga omnes, që të zgjidhet kontesti”.
Ai ka shtuar se zgjidhja është pako dhe pikërisht për këtë, përderisa nuk dakordohet gjithçka, asgjë nuk është e dakorduar.

