Qeveria e Zaevit është qeveria e tetë në të cilën merr pjesë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) pa marrëveshje të nënshkruar për qeverisje. Qeveria e parë me Cërvnkovskin, pastaj me Hari Kostovin, Vllado Buçkovskin, tri qeveri me Nikolla Gruevskin (2008, 2011, 2014) dhe ajo me Emil Dimitrievin në vitin 2015.
Opinioni shqiptar ende nuk e ka të qartë se pse BDI nuk nënshkruan marrëveshje për koalicionim qeveritar me partnerët e koalicionit edhe pse vazhdimisht premton një gjë të tillë para zgjedhjeve? Analistët thonë se kjo është për shkak se partia e Ahmetit nuk është e sigurt se mund të realizojë atë që e nënshkruan.
“Pasi bëhen pjesë e qeverisë, funksionarët e BDI-së më tepër i përkushtohen realizimit të ambicieve dhe interesave personale, se sa zotimeve parazgjedhore. Këtë e shfrytëzojnë partnerët e tyre maqedonas, duke i incizuar dhe duke ua proceduar aferat, me të cilat pastaj i mbajnë peng dhe nuk i lejojnë të realizojnë atë që kanë premtuar. Ahmeti e ka vërjetur këtë dobësi të veten dhe të funksionarëve të partisë së tij, prandaj nuk nënshkruan marrëveshje, sepse kur ekziston dokument i shkruar dhe nënshkruar është më rëndë të arsyetohet mospërmbushja e tij”, ka thënë analisti politik, Burim Halimi.
Shqiptarët tashmë janë mësuar me pjesëmarrjen e BDI-së në qeveri pa marrëveshje dhe kjo nuk u bën përshtypje. Mirëpo ajo që i ka habitur më tepër është vendimi i Aleancës për Shqiptarët në qeveri pa marrëveshje të nënshkruar, e madje duke heqë dorë nga Platforma Shqiptare edhe pse lideri i saj Zijadin Sela ishte lideri me paraqitjet e tij parazgjedhore me tonet më patriotike, në krahasim me liderët tjerë.
“Aleanca si duket ishte letër e BDI-së për të penguar unifikimin e votës shqiptare para zgjedhjeve dhe për të parandaluar humbjen e BDI-së, që do të ishte e pashmangshme. Tani që kjo letër u djeg, nuk do të habitem nëse LR-PDSH shkrihet në BDI, kurse BDI vendos të formojë një parti tjetër për të përçarë votën dhe opozitën shqiptare në zgjedhjet e ardhshme”, thekson Halimi. /Lajmpress