Qeveria do të pranojë çdo marrëveshje mes sindikatave dhe punëdhënësve për pagën minimale në momentin kur ajo të arrihet në kuadër të dialogut ekonomiko-social, kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë pas takimit të sotëm në qeveri me përfaqësues të sindikatave.
Në takimin me sindikatat, përveç për pagën minimale, është biseduar edhe për marrëveshjen kolektive dhe për përfaqësimin e sindikatave, ndërsa përveç kryeministrit Hristijan Mickoski, kanë marrë pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, zëvendësi i tij Marjan Risteski, si dhe sekretarja shtetërore në Ministrinë e Financave, Julijana Petkanovska dhe këshilltari në Kabinetin e kryetarit të Qeverisë.
“Qëndrimi i Qeverisë lidhur me rritjen e pagës minimale është i qartë dhe i bazuar në ligj. Gjegjësisht, sipas ligjit, Qeveria është e obliguar ta përcaktojë nivelin e pagës minimale më së voni deri më 31 mars. Qeveria do të pranojë çdo marrëveshje mes sindikatave dhe punëdhënësve, në momentin kur ajo të arrihet në kuadër të dialogut ekonomiko-social. Qeveria mbetet partner i punëtorëve dhe punëdhënësve dhe është e gatshme për dialog në çdo moment kur kjo të kërkohet nga palët në procesin”, thuhet në kumtesën nga qeveria.