Abil Baush
„Në një fshat, emrin e të cilit nuk po ma kujton kujtesa…“ kështu nis romani i famshëm i Servantesit. Edhe ne, si Don Kishoti, vuajmë nga sëmundja e iluzionit, kur luftojmë kundër “erërave” si shëtitje pasdarke, duke shpresuar se në botën e ekonomisë do të mposhtim të gjitha rrjedhat buxhetore dhe numrat imagjinare.
Në vendin tonë sundon një atmosferë e qetë, thuajse donkishoteske. Jo ajo qetësia që paralajmëron stuhi, por ajo qetësia e lodhur, e butë dhe burokratike, në të cilën treguesit ekonomikë rrahin butësisht alarmin inflacioni rritet, investimet kapitale janë thuajse të papërfillshme, ndërsa politika është zhytur në komoditet dhe në fraza të tipit “gjithçka është nën kontroll”. Por si Don Kishoti, ndoshta jemi në prag të zgjimit para betejës së fundit, para zgjedhjeve, para stuhisë që mund ta tronditë këtë normalitet të krisur.
Po t’ju thoshte dikush në vitin 2019 se një familje do të shpenzonte mbi 63.000 denarë në muaj për nevoja bazike, do të qeshnit. Sot, kjo është shporta zyrtare e konsumit për një familje katëranëtarëshe. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, inflacioni në qershor 2025 ishte 5,6% në bazë vjetore, me ushqimin dhe energjinë si faktorët kryesorë të rritjes.
Krahasuar me këtë, inflacioni në BE ka rënë nën 3% (sipas Eurostat), në Serbi është 4,7%, ndërsa në Shqipëri 3,9%. Parashtrohet pyetja: a vërtet nuk kemi mekanizma për përballje apo thjesht “ata” kanë vullnet politik, ndërsa ne vetëm vullnet për shuarje të zjarreve sociale?
Në gjysmën e parë të vitit 2025, realizimi i investimeve kapitale në Republikën e Maqedonisë së Veriut është vetëm 28% e asaj që ishte planifikuar. Ndërsa shteti planifikoi mbi 700 milionë euro për projekte kapitale, janë realizuar vetëm rreth 196 milionë euro. Kjo do të thotë se nuk po ndërtojmë autostrada, nuk po rinovojmë shkolla, nuk po dixhitalizojmë shërbime por vetëm premtojmë.
Në Kroaci, realizimi i investimeve kapitale në të njëjtën periudhë ishte 44%, në Greqi 53%, ndërsa në Bullgari mbi 48%. Qartë, fqinjët ndërtojnë, ndërsa ne shpallim tenderë dhe ndryshojmë justifikime.
Qeveria shpalli me krenari rritjen ekonomike prej 2,1% për tremujorin e dytë, por me një sqarim “nën pritshmëritë”. Banka Botërore tashmë e ka ulur parashikimin për rritjen në vitin 2025 në 1,8%, shumë më pak se 3,5% sa ishte projektuar në buxhet.
Motori kryesor? Konsumi, jo investimet. Investimet bruto janë në rënie, eksportet stagnuese, ndërsa importet rriten një recetë klasike për deficit strukturor. Edhe rritja e sektorit të shërbimeve nuk e mbulon faktin se prodhimi industrial ka rënë me 2,7% krahasuar me vitin e kaluar.
Qetësisht, por me efikasitet, Qeveria siguroi 500 milionë euro kredi nga Hungaria, prej të cilave 250 milionë euro janë ndarë për komunat. Po çfarë do të financohet me këto para? Sipas informatave fillestare projekte lokale infrastrukturore, rrugica, ndriçim, gjelbërim urban, dhe më së shumti përgatitje për zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2025. Komunat që do të marrin “infuzionin” do të kenë trotuare të reja dhe fasada prej stiropori, në mënyrë që kryetarët e komunave t’i presin zgjedhjet me shirit ceremonial dhe gërshërë në dorë.
Krejt kjo ndodh në një moment kur qytetarët presin stabilitet, parashikueshmëri dhe reforma të vërteta. Por në vend të kësaj, marrin “paketa festive”, “zbritje për pensionistë” dhe kthim të recetave të vjetra që duken më shumë si populizëm se sa produktivitet.
Krahasuar me Slloveninë, ku paga minimale është 1.304 euro, dhe rritja ekonomike e projektuar për 2025 është 2,8%, ne ende diskutojmë nëse duhet ta rrisim pagën minimale në 400 euro dhe si do të ndikojë kjo në buxhetin e shtetit.
Kriza më e rrezikshme nuk është ajo që shpërthen, por ajo që hesht. Dhe e jona hesht me inflacion mbi mesataren evropiane, me investime kapitale vetëm në letër, me rritje ekonomike nën potencial, dhe me energji politike e përqendruar te fitoret zgjedhore, jo te reformat strukturore.
Ndoshta është koha të pyesim veten nëse gjithçka është “qetë”, a mos vallë dikush e ka rregulluar qetësinë? Apo thjesht jemi mësuar të mos dëgjojmë?