I akuzuari në lagjen e trimave, Qenan Iseini, në seancën e sotme gjyqësore denoncoi përfshirjen e një inspektori të policisë në inskenimin e rastit të Kumanovës, njofton SHENJA. Iseini, në shtëpinë e të cilit ishin strehuar disa pjesëtarë të grupit në fshatin Hotël, para se të vinin në lagjen e trimave tha se ai e kishte mbajtur grupin në shtëpi për 2 ditë pasi kishe qenë i detyruar, grupi ishte imponuar kishte ardhur në shtëpi dhe i kishte thënë Iseinit se deshi apo nuk deshi ai, ata do të qëndrojnë aty vetëm sa për të pushuar.
Iseini shpjegoi se teksa ata kishin qëndruar në shtëpinë e tij, komandant Malisheva në komunikim me Mirsad Ndrecajn kishin organizuar transportim të grupit nga Hotla në Kumanovë. Sipas tij, grupi nuk i ka besuar atij, pasi janë frikësuar se do t’i spiunojë prandaj nuk i kanë treguar se ku shkojnë dhe çfarë bëjnë. Siç tha ai, atë e kanë shfrytëzuar për t’ua mbajt valixhet deri në Kumanovë, pas çka ishte shkëputur prej tyre dhe më nuk i kishte takuar deri në momentin kur policia e kishte arrestuar dhe futur në burg.
I akuzuari Iseini tha se së bashku me inspektorin e policisë të quajtur Armend, kishte qenë edhe një shqiptar tjetër me veshje civile dhe një shofer të cilin Iseini nuk e ka parë. Ai tha se po ta shohë personin e dytë që ka qenë me inspektorin Armend, do ta njohë menjëherë, pasi që vazhdimisht e ka takuar në bastoren sportive të fshatit, ku ai ka shkuar shpesh. Iseini tha se inspektori Armend u ka siguruar se do ta sigurojë korridorin nga Hotla deri te Lagjja e Trimave.
Ndërkaq, avokatët mbrojtës të grupit të Kumanovës thanë se seanca e sotme hodhi dritë mbi përfshirjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme në inskenimin e rastit, për shkak se siç u dëgjua nga të akuzuarit ata kanë qenë të njoftuar si për kohën kur do të vijë grupi, ashtu edhe për qëllimin dhe vendndodhjen ose lëvizjen e tyre.
Ibrahim Bajrami, njëri prej avokatëve mbrojtës, hodhi dyshimin se gjykatësja po mban anën e prokurorisë, pasi gjatë seancës ajo i sugjeronte prokurores që të kundërshtojë disa pyetje të caktuara.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër, Sevdail Miftari, kishte pasë kontakt dhe kishte biseduar me shoferin e makinës me të cilën ishte transportuar grupi dhe pas bisedës i kishte thënë Qenan Iseinit se e gjithë kjo është lojë. /SHENJA/