Dy dytë me radhë punonjësit e Higjienës Komunale në Shkup nuk i grumbullojnë mbeturinat, pasi drejtoresha Kosana Nikoliq Mazneva ka larguar nga puna rreth 100 punonjës me kontrata në vepër, ndërsa ka shkarkuar edhe dhjetëra tjerë me vendim pune. Të indinjuar me vendimin e Maznevës, e cila për herë të dytë largon nga puna deri 200 punonjës, punëtorët po mbajnë protestë, ndërsa kanë siguruar se nuk do të nisin pastrimin e qytetit derisa të kthehen kolegët në punë. Megjithatë, duket se Maznevës nuk i bëhet vonë, madje ka kërcënuar se do të largojë të gjithë nëse nuk nis pastrimi i Qytetit.
Dhe, derisa drejtoreshës nuk ka kush i bën gjë, Qyteti i Shkupit ka nis të kundërmojë erë të rëndë, pasi kontejnerët mbesin pa u zbrazur, ndërsa nuk po pastrohen edhe kontejnerët e vegjël para ndërtesave dhe shtëpive private në Shkup.
Ndaj situatës së fundit të krijuar në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” ka reaguar Komuna e Aerodromit. Nga kjo Komunë kërkojnë që Qyteti i Shkupit dhe “Higjiena Komunale” të gjejnë zgjidhje për mbeturinat e grumbulluara. “Obligim dhe përgjegjësi e çdo menaxheri, përfshirë drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe kryetarët e Qytetit të Shkupit është të vendosin dhe mbajnë sistem për menaxhim adekuat të resurseve me të cilat disponojnë dhe në atë mënyrë të sigurojnë shërbim cilësor për qytetarët. Pastërtia, higjiena publike dhe mbajtja e mjedisit të shëndetshëm, është interes publik prej të cilit të gjithë kemi përfitime”, qëndron mes tjerash në reagim.


