Nëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky sot zbret në Ankara për një takim me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, kjo nuk do të jetë një tjetër samit protokollar me shtrëngim duarsh dhe deklarata për mediat.
Ajo që do të shohim është një lojë gjeopolitike pokeri me rrezik të lartë – Zelensky ka pranuar të marrë pjesë në këtë lojë dhe tani, para syve të gjithë botës, po përpiqet ta thërrasë në duel ‘blefin’ e presidentit rus, Vladimir Putinit, analizon skynews.
Në tryezë do të jetë edhe Erdogan, i cili në këtë situatë mund të luajë rolin e ndërmjetësit dhe gjykatësit. Rreziku është i jashtëzakonshëm – edhe pse duket e pabesueshme, ndoshta pikërisht sot mund të fillojë zgjidhja e luftës më të përgjakshme në Evropë që nga vitet 1940.
Zelensky, megjithatë, me këtë lëvizje kërkon të demaskojë deklaratat e Putinit për paqe dhe të tregojë se ato janë fraza boshe dhe pa përmbajtje.
Nëse presidenti rus megjithatë shfaqet – gjë që tani duket pak e mundshme pasi mbrëmë u njoftua se do të vijë një delegacion rus dhe jo ai vetë – Zelensky ka paralajmëruar se do të fluturojë menjëherë nga Ankara në Stamboll, ku do të mbahen negociatat e drejtpërdrejta. Kjo është një formë klasike, por shumë e menduar mirë e lojës psikologjike: Zelensky po luan lojën e Putinit, por nuk i lë hapësirë për manovrim.
Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, ka ftuar liderin ukrainas që të pranojë propozimin rus për negociata të drejtpërdrejta, i cili erdhi papritur të dielën.
Ky propozim erdhi pasi Ukraina dhe aleatët e saj kërkuan një armëpushim të pakushtëzuar prej 30 ditësh – Kremlini u përpoq të zbehë këtë iniciativë me një kundërpropozim që do të shtynte veprimet konkrete. Zelensky tani e ka pranuar “ofertën” e Putinit dhe në mënyrë efektive e ka detyruar atë të bëjë lëvizjen e radhës.
Është e mundur, sigurisht, që edhe Putini të shfaqet – kjo do të ishte shenjë se ai ndien presion: sanksionet, humbjet në fushëbetejë, e ndoshta edhe faktori Trump po bëhen gjithnjë e më të vështirë për të.
Por, nëse nuk paraqitet, do të tregojë atë që shumëkush tashmë mendon – se ai është agresori që nuk ka vullnet të vërtetë për paqe dhe që vetëm po zvarrit procesin duke dërguar një delegacion më të ulët në rang.
Kjo do të ishte një fitore morale për Ukrainën – dhe ndoshta pikërisht kjo do të mjaftonte që Zelensky të marrë ndihmë ushtarake më të madhe nga administrata e Trumpit, pavarësisht hezitimit të tyre të deritanishëm.
Pyetja kyçe është: a mundet Putini të përballojë që të mos marrë pjesë personalisht në negociatat për paqe në Turqi?
Ndoshta po. Por çdo ditë që kalon pa praninë e tij – veçanërisht pasi sfida iu bë publikisht – e bën gjithnjë e më të qartë se kush në të vërtetë nuk e dëshiron fundin e luftës.
Zelensky këtë e di shumë mirë. Prandaj ai shkon në Turqi dhe ulet në tryezë, duke e ftuar Putinin që të ulet përballë.
Ndonjëherë diplomacia nuk është çështje negociatash apo kompromisesh. Ndonjëherë mjafton vetëm të shfaqesh.