16 Janar 2019 / 13:58
Rusia nuk ndalon komentet për zhvillimet në Maqedoni, përkatësisht ndryshimin e emrit kushtetues. Presidenti rus Vladimir Putin në prag të vizitës së tij në Beograd për mediat e atjeshme ka deklaruar se referendumi për emrin në Maqedoni ishte i pasuksesshëm, ndërsa u injorua vullneti i popullit. Putin nënvizoi se për shkak të këmbënguljes ndërkombëtare për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO u bë procesi i miratimit të amendamenteve kushtetuese dhe ndryshimi i emrit të shtetit. “Referendumi për ndryshimin e emrit shtetëror nuk pati sukses, por presioni i jashtëm vazhdoi. Federata ruse, duke e ditur dhe kuptuar kompleksin e Ballkanit dhe historinë e këtij rajoni, gjithmonë e llogariste si hapësirë për bashkëpunim konstruktiv”, ka thënë Putin. Ai ka shtuar se Rusia në Ballkan ka shumë miq, por vend të posaçëm zë partneri strategjik – Serbia. Nga ana tjetër në intervistën vjetore për gazetarët, ministri i Punëve të jashtme të Rusisë Sergej Lavrov, ka thënë se Rusia nuk është kundër emrit të ri të Maqedonisë por çështja është legjitimiteti i procesit të ndryshimit të emrit. Kreu i diplomacisë ruse ka nënvizuar se shumë pyetje parashtrohen edhe për legjitimitetin e amendamenteve për ndryshimet Kushtetuese dhe Ligjit për gjuhët, të cilat u miratuan në Kuvend, por nuk u nënshkruan nga presidenti i Shtetit.
Loading…