Rasti “Parcelat në Dellçevë” për të cilin PTHP nuk ngriti aktakuzë, sipas opozitares VMRO-DPMNE është rast i montuar. Ata kërkojnë që pushteti t’i kërkojë falje VMRO-DPMNE-së për shkak se, siç thonë, kanë shpikur dhe montuar rast që nuk ekziston. Nëse ka mbetur një pikë morali në këtë pushtet, atëherë duhet menjëherë t’i kërkojë falje VMRO-DPMNE-së për këtë rast i cili u bë që t’i shkaktojë dëm partisë, thuhet në kumtesën e kësaj partie. Për “Parcelat e Dellçevës” u përmend edhe shefi i partisë opozitare Mickoski se ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, për çka ai këto ditë tha se pushteti qëllimisht po e prish imazhin e tij.
“Po përpiqen që të prishin imazhin tim, nderin tim, me atë që në mënyrë të vazhdueshme pothuajse 6 vite po publikojnë gënjeshtra, shpikin raste dhe në këtë mënyrë mendojnë se do të mbijetojnë më shumë në skenën politike. Si në vetë fillimin, ashtu edhe deri në këtë rast ku unë personalisht u përmenda nga funksionarët e lartë të LSDM-së dhe shërbëtorët e tyre në opozitë se jam i përfshirë ose se përmes këtij rasti është financuar VMRO-DPMNE-ja”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kjo lëndë kishte të bëjë me blerjen e tokës nga Elektranat EVN për ndërtimin e centraleve fotovoltaike që, siç u tha, është paguar 40 herë më shumë se çmimi real i tregut. Kthesa ndodhi pasi që dëshmitarët ndryshuan dëshmitë e tyre. Nga PTHP informuan se pas kësaj nuk kanë pasur zgjidhje tjetër përveç se ta ndërpresin procedurën, përkatësisht të mos ngritin aktakuzë.
“Gjatë procedurës hetimore anëtarët e Bordit drejtues ndryshuan deklaratën e tyre dhe deklaruan se pasi që i kanë shqyrtuar dëshmitë e grumbulluara, vlerësojnë se nuk janë sjellë në gjendje hutie dhe nuk janë mashtruar nga të dyshuarit. Anëtari i Bordit, drejtues i EVN Maqedoni SHA Shkup i emëruar nga Qeveria deklaroi se personi juridik nuk është dëmtuar përmes veprimeve të të dyshuarve dhe se në këtë rast nuk ka pagesë joligjore”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Të dyshuar për mashtrim në këtë rast ishin dy udhëheqës të kompanisë EVN, Mirosllav Mitrovski dhe Igor Gievski, që kanë nënshkruar marrëveshje për shitblerje të parcelave bujqësore në Dellçevë si dhe pesë persona tjerë janë përndjekur për ndihmë.