Alsat 2020-04-25T15:23:54+02:00
Prodhimi i një vaksine për cilindo virus merr kohë mirëpo shkencëtarët janë duke dhënë maksimumin e tyre për prodhimin e një vaksine efikase kundër virusit korona. Kështu vlerëson Vedud Purde, shkencëtar me prejardhje nga Gostivari por që jeton në SHBA. Edhe pse nuk punon drejtëpërdrejtë në hulumtimet për virusin korona, ai hedh poshtë kategorikisht zërat se ky virus mund të jetë prodhuar në laborator.
Si biokimist, si e shihni hulumtimin për kurimin ose gjetjen e vaksinës për atë që tashmë është duke e bllokuar gjithë botën, për virusin korona? Zakonisht, sa kohë duhet që të prodhohet një vaksinë?
“Prodhimi i një vaksine kundër virusit merr kohë dhe unë nuk kam dyshime se hulumtuesit punojnë shumë, shkencëtarët punojnë shumë për të prodhuar vaksinën më të mirë dhe për t’i ndihmuar të gjithë. Ne të gjithë tani kemi nevojë për ndihmë dhe një nga zgjidhjet është që të kemi një vaksinë. Vetëm se duhet të kuptojmë pak nga kjo. Kur një njeri infektohet, trupi jonë është aq mirë i organizuar sa do të bëjë më të mirën e tij për ta luftuar virusin. Qelizat imune si “macrophages”, qelizat-B, limfocitet-B, limfocitet-F, do të përpiqen ta luftojnë infeksionin duke vepruar në qelizat e infektuara dhe duke prodhuar antitrupa kundër grimcave virale. Ato antitrupa do t’i neutralizojnë elementet specifike të virusit të quajtura antigjene. Mënyra se si funksionon një vaksinë është të kesh një antigjen të virusit i cili do të veprojë mbi pjesën e trupin tënd që është e infektuar nga virusi kështu që trupi jot do të prodhojë antitrupa si kundërpërgjigje imune kundër virusit. Prandaj, prodhimi i vaksinës më të mirë që do ta nxisë trupin të prodhojë përgjigjen më të mirë imune, merr kohë.”
Doktor, SHBA-ja, për momentin është në gjendjen më kritike në botë me virusin korona. Si po ballafaqoheni me gjithë këtë?
“Ne të gjithë po përpiqemi të ballafaqohemi me të, në mënyra të ndryshme. Na është kërkuar të gjithëve të mos shkojmë në punë, të qëndrojmë të shtëpi, të mbajmë distancën sociale, të mbajmë të pastra duart tona dhe kurdo që të dalim jashtë, të jemi shumë të kujdesshëm. Nuk duan të shkojmë në ato vende ku mund ta marrim virusin. Pra, gjëja e parë është distanca sociale dhe pastërtia, mbajtja e maskës kur dalim jashtë dhe bërja kujdes. Unë besoj se kjo ka ndihmuar shumë në menaxhimin me numrin e rasteve pozitive që duket se është në rritje.”
Në opinion, edhe këtu në Maqedoni por edhe në vende të ndryshme të botës ka teori të ndryshme për ekzistimin e virusit korona. Cili është mendimi juaj për teorinë që ky virus është prodhuar në laborator?
“Po, ky thashethem ekziston dhe njerëzit flasin për të. Si shkencëtar, unë nuk besoj se ky virus është prodhuar në laborator dhe se është i shpikur nga shkencëtarët. Unë nuk pajtohem me këtë. Besoj se ka mjaftueshëm prova dhe publikime shkencore që tregojnë se ky virus nuk është prodhuar në laborator. Njërin nga publikimet do ta sqaroj shkurt. Shkencëtarët kanë shikuar shtyllën gjenetike të virusit dhe e kanë krahasuar atë me viruset e tjerë korona me të cilët ka karakteristika të ngjashme. Nëse dëshiron të prodhosh një virus me këto karakteristika, t’i duhet t’u kthehesh atyre viruseve që shkaktojnë sëmundjen e njëjtë, të marrësh shtyllën gjenetike të tyre dhe ta injektosh në shtyllën gjenetike të këtij virusi. Ky rast nuk është ashtu. Kjo gjë nuk ka ndodhur me këtë virus.
Çdo virus, ka një ngritje kur fillon të shpërndahet, po ashtu edhe një rënie. Si mendoni ju, në cilin nivel është tani COVID-19, në cilën fazë?
“Siç e sqaruat edhe ju, ka një kulm dhe një rënie. Kjo mendoj se varet edhe nga ajo se në cilën pjesë të botës jetoni. Nëse flas për SHBA-në, kur shikoj statistikat, besoj se kemi arritur kulmin. Për momentin jemi në majë dhe shpresoj se së shpejti do të fillojmë të shohim rënie të numrit të njerëzve që kanë rezultuar pozitiv. Së fundmi, shikova numrat në Maqedoni dhe e di që ju keni qëndruar në shtëpi për një kohë të gjatë duke u munduar të mbani distancën sociale dhe masat e tjera që keni ndërmarrë për t’u mbrojtur. Dhe totalisht e admiroj mënyrën se si keni qenë të durueshëm duke u përpjekur të ndihmoni njëri-tjetrin, gjë që është shumë e rëndësishme. Mendoj se edhe në Maqedoni, numrat do të fillojnë të bien shumë shpejt.”
Mefail Ismaili




