Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) dhe organizatat sindikale të Postës së Maqedonisë kërkojnë takim urgjent me përfaqësuesit e Qeverisë deri të martën ose më së voni të mërkurën, në të cilin do të prezantojnë problemet që ka kjo kompani.
Ndryshe, ata bëjnë të ditur se do të organizojnë protesta para Qeverisë, pasi që ende nuk kanë marrë rrogat, përcjell INA.
LSM theksoi se problemi më i madh është se punonjësit e Postës së Maqedonisë së Veriut ende nuk e kanë marrë pagën për muajin shtator.
“Punonjësit janë të shqetësuar për të ardhmen e Postës dhe ruajtjen e vendeve të punës, si dhe duke pasur parasysh gjendjen e keqe financiare të Kompanisë, me rënie të të ardhurave, është vënë në pikëpyetje pagesa e rregullt e pagave. Duhen masa urgjente për tejkalimin dhe stabilizimin e funksionimit të Postës, gjegjësisht ndërmarrjen e reformave urgjente në funksionimin e përgjithshëm në të cilin Qeveria e RSM-së është faktor kyç, në cilësinë e saj si pronare e Sh.A. Postat e RMV-së”, thuhet në deklaratën e Lidhjes së Sindikatave.
Sipas burimit tonë të mirëinformuar, deri më tani janë siguruar vetëm 15 milionë denarë, ndërsa mungojnë 50 milionë për të siguruar paga për mbi 2000 punëtorë në mbarë vendin. Menaxhmenti i postës shpreson se Qeveria do t’i plotësojë për t’i siguruar këto 50 milionë denarë, përndryshe nuk do të ketë rrogë as në periudhën e ardhshme dhe protesta do të jetë e pashmangshme.(INA)