Komuna e Gostivarit ka intensifikuar punimet në infrastrukturën rrugore. Punimet po zhvillohen në disa akse rrugore brenda qytetit dhe në vendbanimet përreth. Ato kanë nisur më 1 qershor dhe pritet të sjellin përmirësime të dukshme në rrugët që kanë qenë më të dëmtuara.
Nga pushteti lokal në Gostivar bëjnë të ditur se aktualisht po punohet për rikonstruksionin e rrugës së Balindollit, në segmentin nga Beliçica deri te shkolla fillore e fshatit. “Punimet do të përfshijnë një gjatësi prej mbi 1.7 kilometrash dhe kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në komunikacion. Lusim banorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të lirojnë hapësirat përgjatë rrugës dhe të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm, në mënyrë që punimet dhe asfaltimi të përfundojnë sa më shpejt dhe me sa më pak pengesa”, thonë nga Komuna e Gostivarit. Ndërkohë, vazhdojnë punimet për rikonstruksionin e bulevardit “Vëllezërit Gjinovski”, ku tashmë ka filluar faza e asfaltimit. Kjo fazë përfshin segmentin rrugor nga rrethrrotullimi në kryqëzimin me rrugën “Sede Kostovski” deri te rrethrrotullimi pranë Qendrës për Kulturë.
Punime po zhvillohen edhe në rrugë të tjera të qytetit. Nga pushteti lokal bëjnë të ditur se kanë filluar punimet për rikonstruksionin e rrugës “Ivo Lola Ribar”, në një gjatësi prej rreth 450 metrash. Punimet do të realizohen nga kryqëzimi te Parku i Sheshit deri te kryqëzimi me rrugën “Pançe Popovski”. “Gjatë periudhës së realizimit të punimeve, trafiku do të zhvillohet me regjim të reduktuar. Ju bëjmë thirrje të respektoni sinjalizimin e përkohshëm dhe, sipas mundësive, të shfrytëzoni rrugë alternative. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe ju falënderojmë paraprakisht për durimin gjatë kësaj periudhe, e cila është në funksion të përmirësimit të infrastrukturës rrugore në qytetin tonë”, informoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Gjatë fundjavës kanë filluar edhe punimet për rikonstruksionin e rrugës “Nikola Parapunov”. Sipas Shërbimit për Informim në Komunën e Gostivarit, punimet do të zhvillohen në segmentin nga Kulla e Sahatit deri në pikën ku kjo rrugë lidhet me bulevardin “Vëllezërit Gjinovski”.
Po ashtu, është bërë e ditur se tashmë ka përfunduar asfaltimi i rrugës “101”, me një gjatësi prej 540 metrash, e cila pas rikonstruksionit ka marrë një pamje të re dhe është vënë në shfrytëzim për qytetarët. Autoritetet komunale theksojnë se këto nuk janë projektet e vetme infrastrukturore që po realizohen dhe se në periudhën e ardhshme do të ketë investime edhe në segmente të tjera rrugore. Nga Komuna e Gostivarit kërkojnë mirëkuptim nga qytetarët, veçanërisht nga drejtuesit e automjeteve, të cilëve u rekomandohet të shmangin lëvizjet e panevojshme në rrugët ku po zhvillohen punimet.
Ndërkaq, kohë më parë në qytet filloi edhe sanimi i gropave në disa rrugë kryesore. “Vazhdojnë punimet për rikonstruksionin e pjesshëm të rrugëve, sipas dinamikës dhe planit të përcaktuar, me fokus në mbulimin e gropave, me qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë në lëvizje”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gostivarit. (koha.mk)


