
Të punësuarit në kombinatin “Jugohrom” në Jegunovcë të Tetovës të organizuar nga Sindikata “Jugohrom Alzar” rreth dy orë mbajtën të bllokuar autostradën Tetovë-Shkup në të dy drejtimet, duke kërkuar nga organet qeveritare që të tërheqin vendimin për pezullimin e punës së këtij kombinati. Të tubuar në pikëpagesën në fshatin Zhelinë, ata thanë se mbyllja e kombinatit “Jugohrom” është e pajustifikuar. Kryetari i Organizatës Sindikale “Jugohrom Alzar”, Bajram Amiti, tha se ata si të punësuar në Jugohrom nuk kërkojnë që kombinati të punojë pa filtra deri në vitin 2019, por kërkojnë vazhdimin e afatit për vendosjen e filtrave për një kohë 18 mujore, në të cilën siç theksoi ai, do të arrijnë t’i vendosin filtrat.
“Apeloj tek organet kompetente që në mënyrë pozitive të marrin vendime për fatin e Jugohrom-it, por të marrin parasysh edhe fatin e 700 të punësuarve në këtë kombinat, familjet e tyre, përfshirë edhe kontributin e kombinatit në ekonominë lokale dhe kombëtare”, ka deklaruar Bajram Amiti, Kryetari i Organizatës Sindikale “Jugohrom Alzar”.
Amiti shtoi se në mënyra të ndryshme do të vazhdojnë të kërkojnë nga Qeveria tërheqjen e vendimit për pezullimin e punës së këtij kombinati, por nuk tregoi detaje se në çfarë mënyrë do të shprehin revoltën e tyre.
Ndërkaq, sipas të dhënave që ka dërguar sot EcoGuerilla nëpërmjet një komunikate, edhe gjatë muajit janar të vitit 2017 Tetova ka qenë një nga vendet më pak të ndotura në Maqedoni krahasuar me periudhën kur ka punuar Jugohromi dhe kur Tetova ka qenë në vendin e parë në Maqedoni por dhe në listën e vendeve më të ndotura në Botë.
Mesatarja e grimcave PM10 në muajin Janar të vitit 2017 ka qenë si vijon:
- Gazi Babë 199.7
- Lisiçe 199.4
- Shkup Rektorat 190
- Manastir 166
- Karposh 164.7
- Shkup Qendër 155.7
- Miladinovc 149.7
- Kumanovë 144.2
- Kërçovë 114.8
- Tetovë 112.7
- Kavadari 107.7
- Koçan: 71.1
Në vitin 2005 Qeveria e Maqedonisë miratoi ndryshime ligjore, ku ndotësit duhet të plotësonin standardet ekologjike me afat deri më 1 prill të vitit 2014, ndërsa “Jugohrom” disa ditë para skadimit të afatit kërkoi më shumë kohë nga qeveria, e cila vendosi afatin e fundit për plotësimin e standardeve ekologjike deri më 31 tetor 2014. Pas kësaj date, autoritete kompetente Jugohrom-it i dhanë edhe disa afate të tjera, mirëpo kombinati vazhdoi punën deri më 2 nëntor të vitit të kaluar, kur Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor solli vendim t’i ndërpriten të gjitha furrat për shkak të mosrespektimit të afatit të fundit për vendosjen e filtrave. Ditën e djeshme, inspektorati solli vendim për vazhdimin e ndalesës për punë edhe për 90 ditë të tjera.
Teuta Buçi /SHENJA/
Punëtorët e Jugohromit bllokojnë autostradën… by tvshenjaofficial