04 October
Të hënën pritet të ketë një zgjidhje për rastin e nxënësve pa mësues në shkollën fillore periferike “Vasill Gllavinov” të fshatit Kllukovec të Velesit. Këtë e konfirmojnë për Alsat nga komuna e Velesit pasi sot në mëngjes nga Ministria e Arsimit kanë kanë pranuar vendimin për miratimin e dy vendeve të reja pune në këtë shkollë periferike. Nga Velesi thonë se punësimi i mësimdhënësve do të bëhet në afat prej tre muajsh ndërkohë që pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve, do të hapet konkurs I rregullt.
Po, kemi marrë miratimin për dy vend të reja pune për vitin shkollor 2017-18. Sot morëm edhe miratimin nga Ministria, menjëherë do të realizojmë punësimin në afat prej 3 muajsh ndërsa menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, kur edhe ligjërisht do të kemi të drejtë ta bëjmë të njejtën, do të shpallim konkurs dhe të realizojmë punësime të rregullta për shkak se kjo është financim i ri dhe jo zëvendësim. Nga dita e hënë, fëmijët dhe mësuesit do të zhvillojnë takimin e parë. Do të përpiqemi nëse mundet prej nesër të nisin me punë mësuesit, por e them me shumë siguri se mësimi me kaudrin e ri arsimor do të nisë të hënën – tha Katica Çadieva, Komuna Veles.
Tashmë nji vit, shkolla në fjalë punon me mungesë të kuadrit arsimor. Për 50 nxënësit e kësaj shkolle nga klasa e parë deri në të pestën momentalisht janë të angazhuar vetëm dy mësues. Nxënësit e klasës së parë vitin e kaluar e mbaruan pa mësues për të vazhduar e njejta histori edhe me fëmijët që këtë vit u regjistruan në klasë të parë. Përveç problemit me mungesën e mësimdhënësve, nxënësit mësimin e ndjekin në kushte jo të përshtatshme për mësim. Pikërisht për këtë shkak, vitin e kaluar nxënësit bojkotuan mësimin për një muaj rresht. E për këtë problem, nga komuna e Velesit thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për kompletimin e dokumentacionit për nisjen e ndërtimit të një objekti të ri shkollor.
Melihate Rustemi

