Ndoshta nuk mburren me rrogat që kanë, por në administratën shqiptare, nuk qahen për pushime. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u vendos që dita e hënë të jetë pushim zyrtar. Duke qenë se dita e martë 22 mars është pushim zyrtar për shkak të festës së Sulltan Novruzit, qeveria ka vendosur që të bëhet pushim edhe e hëna e 21 marsit.
Pra administrata do të ketë 4 ditë pushim, nga e shtuna deri të martën. Dita e pushimit do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda këtij viti. U tha se arsyeja na qenka një mënyrë për të kursyer energji elektrike, në kushtet kur gjithë bota dhe vendi ynë po përballet me rritje të çmimit të energjisë.
Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që qeveria shqiptare vendos që, duke qenë se, një festë zyrtare përkon me ditën e martë, merr vendimin që të bëjë ditë pushimi edhe ditën e hënë, duke u dhënë mundësinë administratës të pushojë katër ditë me radhë, duke pasur parasysh faktin se e shtuna dhe e diela, në pjesën më të madhe të institucioneve shtetërore, janë pushim.
FESTAT ZYRTARE, SHQIPËRIA NDËR VENDET E PARA NË EVROPË:
Janë shumë vende nëpër botë të cilat gëzojnë privilegjin e të pasurit pushime të vendosura nga ligji ose sic quhen ndryshe dhe festa publike. Këto festa në përgjithësi përbëjnë përvjetorin e një ngjarjeje të rëndësishme historike, ose feste fetare, ose një festë që bie në një ditë të caktuar të javës ose pas një sistemi kalendarik.
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar të dhënat mbi numrin e ditëve që janë festa publike dhe ditë pushimi, duke krijuar një grafik për të parë se cili vend feston më shumë nga të tjerët. Siç e tregon dhe grafiku, Kamboxhia kryeson listën e festave më të zakonshme me 28 festat publike të festuara çdo vit ndërsa Sri Lanka ndjek me 25, pasuar nga Egjipti dhe India.
Mes vendeve të botës, Shqipëria klasifikohet si një vend me më pak ditë festash apo pushimesh me 13 të tilla. Nëse krahasimi do bëhej jo me vendet e botës, por me ato të Evropës, Shqipëria është ndër ato vende që ka më shumë festa publike.
Gjithashtu “Scan Intelligence Unit” ka bërë një analizë vetëm të festave zyrtare në Shqipëri, duke i ndarë ato në festa fetare dhe jo fetare. Për vitin 2021, Shqipëria regjistron 13 festa zyrtare gjithsej bashkë më festën e Vitit të Ri. 7 ditë nga totali i përkasin festave fetare dhe 6 të tjera i përkasin festave jo fetare.
Festat fetare dhe jo fetare në Shqipëri:

Ditët e pushimit prej festave kanë avantazhet e tyre pasi njerëzve iu jepet më shumë kohë për të qenë me familjen si dhe për t’iu dedikuar argëtimi, por gjithashtu kanë dhe disavantazhet e veta pasi ndikojnë në ngadalësimin e transaksioneve që mund të bëhen përmes bankave, si dhe për sektorin financiar.
KALENDARI I FESTAVE ZYRTARE PËR VITIN 2022:
Sipas Bankës së Shqipërisë, institucionet shtetërore, përfshirë edhe atë vetë, janë të mbyllura ditëve të shtuna dhe të diela si dhe në ditët e festave zyrtare në vijim:
01 janar 2022 – Festat e Vitit të Ri;
02 janar 2022 – Festat e Vitit të Ri;
14 mars 2022 – Dita e Verës;
22 mars 2022 – Dita e Nevruzit;
17 prill 2022 – E diela e Pashkëve Katolike;
24 prill 2022 – E diela e Pashkëve Ortodokse;
01 maj 2022- Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve;
02 maj 2022- Dita e Bajramit të Madh;
09 korrik 2022 – Dita e Kurban Bajramit;
05 shtator 2022 – Dita e Shenjtërimit të Shenjt Terezës;
28 nëntor 2022 – Dita Flamurit dhe e Pavarësisë;
29 nëntor 2022 – Dita e Çlirimit;
08 dhjetor 2022 – Dita Kombëtare e Rinisë;
25 dhjetor 2022 – Krishtlindjet.
Sipas BSH, në rastet kur festa apo festat zyrtare bie/bien në ditën apo ditët e pushimit javor (e shtunë dhe/ose e diel), atëherë pushimi shtyhet në ditën apo ditët pasardhëse të punës (e hënë dhe e martë). Ndërkohë, data e festave të Kurban Bajramit dhe Bajramit të Madh mund të ndryshojë sipas kalendarit hënor, në bazë të së cilës, ndryshojnë edhe datat e ditët e pushimit zyrtar.
Ndërkohë, në platformën qeverisëse, e-albania pushimet zyrtare me rastin e festave për administratën publike janë të renditura si më poshtë:
BERISHA HOQI DITËT E PUSHIMIT “EKSTRA”, KUR ATO BININ NË FUNDJAVË:
Në 5 janar të vitit 2010, Qeveria e Kryeministrit Berisha njoftoi se do të shtonte një festë zyrtare, si atë të 8 dhjetorit, por shfuqizoi rregullin e vendosur nga qeveria mëparshme e Kryeministrit Fatos Nano, që nëse këto festa takojnë të jenë në fundjavë, pushimi shtyhet.
Berisha hoqi paragrafin, aq shumë të kritikuar nga opinioni publik kur u ndryshua ligji më 2004:
“Kur ditët e festave zyrtare të mësipërme bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”. Tani ky paragraf nuk ekziston më, se me ndryshimin që u miratua më 23 dhjetor 2009, në ligjin e paraqitur në parlament ishte caktuar pika 2: “Paragrafi i fundit, i nenit 1, shfuqizohet”.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, i ndryshuar nga qeveria shqiptare dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 dhjetor të 2009, u vendos se nuk do të kishte më shtyrje të ditëve të pushimit për administratën.
RAMA RIKTHEU SI DITË PUSHIMI TË HËNAT NË RAST SE FESTAT ZYRTARE BININ NË FUNDJAVË:
Por, në 1 prill të vitit 2015, Këshilli i Ministrave i drejtuar asokohe nga Kryeministri i sotëm, Edi Rama, vendosi që të rikthejë të hënat pushim, në rast se festat zyrtare qëllojnë të jenë në fundjavë.
Ishte vetë Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili tha në një konferencë për shtyp se ky vendim është marrë në respekt të komuniteteve fetare, ndërsa shtoi se, zbatimi i vendimit niste nga Pashkët.
“Ky është një stimul i rëndësishëm për turizmin e brendshëm dhe respekton komunitetet fetare,” tha Niko Peleshi, duke shtuar se kjo nuk është një shaka për 1 prill.








