Një përplasje e dhunshme mes disa personave është regjistruar paraditen e sotme në qytetin e Bilishtit, duke përfunduar me dy persona të plagosur, njëri prej të cilëve është goditur me thikë.
Sipas informacioneve paraprake, gjithçka ka nisur si një konflikt verbal mes Trejan Çelikut, një person i njohur për precedentë të mëparshëm penalë, dhe një 39-vjeçari i identifikuar si Guri Mazelliu.
Burimet bëjnë me dije se Çeliku, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, ka sulmuar fillimisht 39-vjeçarin duke e goditur me sende të forta, çka i ka shkaktuar dëmtime trupore. Pas këtij sulmi, Mazelliu. ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) dhe ka plagosur njërin prej agresorëve, në rrethana që ende po hetohen.
Konflikti, sipas të dhënave paraprake, dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta, ndërkohë që nuk është hera e parë që personat në fjalë përfshihen në përplasje me njëri-tjetrin.
Ngjarja ka ndodhur në dy episode të njëpasnjëshme, me fazën e dytë të sulmit që është filmimi nga një kamera sigurie pranë qendrës së qytetit. Në pamjet e siguruara, shihen personat e përfshirë, mes tyre dhe Trejan Çeliku, duke mbajtur në duar shkopinj bejsbolli dhe duke iu afruar automjetit të Guri Mazelliut, të cilin tentojnë ta sulmojnë.
Të plagosurit janë dërguar për mjekim në spitalin e zonës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Më pas, të përfshirët janë shoqëruar në Komisariatin e Devollit, ku po merren në pyetje për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.
Policia vijon hetimet për të dokumentuar me saktësi shkaqet dhe përgjegjësit e përfshirë në konflikt, ndërsa pritet edhe një reagim zyrtar mbi ngjarjen.