Më 1 korrik skadon afati i parë i Prokurorisë Speciale për hetime dhe ngritjen e aktakuzave dhe nuk ka sinjale se këtij trupi që buron nga Marrëveshja e Përzhinos do ti vazhdohet mandati, raporton SHENJA.
Kjo po e lë Specialen me vetëm tre aktakuza të ngritura nga gjithësej 20 raste që i ka hapur prej themelimit të saj. Nga Prokuroria Speciale për Televizionin Shenja thonë se nuk kanë ndonjë njohuri nëse ndërkohë Kuvendi po përgatit propozimin e ndryshimeve ligjore. Por, ishin të sigurtë se mandati i tyre nuk preket me datën e nesërme për të cilën mediat raportuan se gjoja është data kur skadon afati i ngritjes së aktakuzave. Prokurorja Speciale Katica Janeva, thuajse në shumicën e konferencave të fundit apelonte publikisht ti vazhdohet mandati pasi ballafaqohen me shumë material voluminoz dhe jo gjithmonë hetimet shkojnë me dinamikën e paraparë, por VMRO DPMNE-ja është freni i këtij ndryshimi ligjor. Gjatë këtyre 18 muajve u hapën 20 raste që n isin me shkronjën T. Aktakuza janë ngritur vetëm në raste “Transportuesi” për keqpërdorimin e tenderëve për transport të nxënësve në Manastir, “Fortesa2” për shkatërrimin e provave ku figuron shkatërrimi i pajisjeve për përgjim dhe “Shuplakat” e Zhernovskit” me të akuzuarin e parë Nikolla Gruevski si porositës i dhunës ndaj kryetarit të Qendrës Andrej Zhernovski. Të dyshuar dhe akuzuar janë dhjetëra ish funksionarë të lartë shtetëror dhe zyrtarë aktual komunal që dyshohen për vepra të ndryshme kriminale dhe korruptive.