05 April
Dokumentet që janë pjesë e hetimit të fshehtë të Speciales, të cilat dje publikisht i zbuloi deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Miloshovski, janë marrë nga Regjistri Qendror dhe Agjencia e Fluturimeve Civile. Këtë e pohojnë avokatët që konsultoi Alsat M. Në dokumente përveç vulës arkivore se kur është pranuar dokumenti, ka edhe një vulë tjetër interne nga institucioni ku është dorëzuar kërkesa. Në ekzemplarët për Specialen nuk ka vulë të dytë, por vërtetim se kur është dorëzuar kërkesa.
Këtë e them nga shkaku se në dokumente nuk ka vetëm vulë arkivore por ka edhe vulë të rrumbullakët, vulë e tyre interne e cila assesi nuk do qëndronte në dokumentin që mbetet në Prokurorinë Speciale – tha avokati Sasho Dukovski.
Dje Miloshovski pohonte se dokumentet i ka marrë nga një “informatorë” patriot që punon në Prokurorinë Speciale. Dukovski vlerëson se në këtë mënyrë po minohen hetimet e Speciales. Sipas tij, institucionet në vend që të bashkëpunojnë me Katica Janevën dhe t’ia dorëzojnë të gjitha informatat që i kërkon ato i pengojnë hetimet dhe me këtë bëjnë vepër penale.
Hetimi është i fshehtë. Kjo më së paku paraqet vepër penale dhe keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare. Ligji patjetër të jetë i barabartë për të gjithë dhe absolutisht këtu ekziston përgjegjësi penale – shtoi Dukovski.
Deputeti Antonio Milloshoski i cili që para do kohe është noter i autorizuar, sot ishte i pakapshëm për t’i komentuar këto informata. Ndryshe sipas avokatit Dukovski, në ligj në mënyrë të saktë thuhet se informatorët janë persona që tregojnë për vepër të kryer eventuale penale që është me interes publik. Në këtë nuk bën pjesë interesi personal i ndonjë individi. Derisa juristët interpretojnë mundësitë se si Milloshoski ka arritur deri tek dokumentet e Speciales, institucionet heshtin. As Regjistri Qendror e as Agjencia e Fluturimeve Civile nuk përgjigjet si dhe kush ia ka dhënë dokumentet deputetit Milloshoski. Katica Janeva heton nëse Milloshoski posedon avion dhe në sa kompani ka qenë pronar dhe drejtor në periudhën 2008-2015. Derisa po sqarohen këto dilema, Milloshoski në facebook publikoi fotografi me parashutë dhe aeroplan.
Bojan Stojanovski