Burime të afërta me Prokurorinë Speciale Publike, kanë demantuar kryetarin e Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti i cili tha se ka kërkuar nga prokuroria të hetojë funksionarët e partisë së tij. Ato thonë se ky deklarim i Ahmetit është i rrejshëm, sepse hetime për shumë funksionarë të BDI-së, njëjtë sikurse për ata të VMRO-DPMNE-së, ka kërkuar PSP-ja, e jo Ali Ahmeti.
“Ali Ahmeti ndoshta nuk e din, por ne nuk jemi prokurori partiake që ai të mund të na tregojë se kë të hetojmë, e kë të mos hetojmë. E vërteta është se hetime për shumë funksionarë të BDI-së kemi kërkuar ne si Prokurori Speciale Publike, e jo Ali Ahmeti. Jo vetëm që nuk ka kërkuar hetime për funksionarët e BDI-së, por partia e Ali Ahmetit ka bë maksimumin për të penguar hetimet tona ndaj funksionarëve të VMRO-së dhe të BDI-së”, kanë thënë burime të afërta me PSP-në për disa medium maqedonase.
Ata shtojnë se lista e funksionarëve të BDI-së që janë hetuar nga PSP është e gjatë njëjtë sikurse lista e funksionarëve të VMRO-DPMNE-së. “Jemi të habitur që shumica e këtyre funksionarëve që janë hetuar, ende gjenden në poste të rëndësishme, ose janë kandiduar në zgjedhjet locale”, kanë theksuar këto burime.
Për këtë arsye nga frika se kjo listë mund të dalë në shesh, Ahmeti del me paraqitje të rrejshme, për të krijuar përshtypje në opinion se po vërtetohet pastërtia e kuadrove të BDI-së, e jo që po hetohen dyshime për vepra të tyre kriminale. Opinioni shqiptar më 11 dhjetor dënoi këtë strategji të Ahmetit dhe të BDI-së, mirëpo si duket nuk kanë nxjerrë mësim.
Ahmeti javën e kaluar ka aluduar që ka kërkuar nga PSP hetime për funksionarët e BDI-së, duke përmendur emrin e prokurores speciale Janeva, të cilën ai e quajti “Janevska”

