Nga Adam Taylor
Brukseli u godit të martën nga disa shpërthime vdekjeprurëse, ndërsa të gjitha të dhënat flasin për sulme terroriste të koordinuara. Kjo ngjarje ishte një kthesë shokuese, por për këdo që e ka parë nga afër kryeqytetin belg gjatë viteve të fundit, nuk ka vend për surpriza: ndërsa Brukseli njihej deri vonë si qendra e kulturës dhe politikës evropiane, reputacioni i tij është cenuar kohët e fundit për shkak të lidhjeve me ekstremizmin dhe skenarët e terrorizmit. Këto lidhje morën goditje javën e kaluar, kur autoritetet belge më në fund kapën terroristin e dyshuar Salah Abdeslam në Bruksel, në lagjen me shumicë myslimane, Molenbëk. Abdeslam, 26 vjeç, ishte i vetmi terrorist i mbijetuar, që mori pjesë në sulmet e nëntorit në Paris, ku vdiqën 130 njerëz. Abdeslam është shtetas francez, me origjinë marokene, por ka lindur në Bruksel dhe ka jetuar në Molenbëk së bashku me familjen e tij dhe të vëllanë 31-vjeçar, Brahim, i cili hodhi veten në erë në sulmet e Parisit.
Dihej prej muajsh se Abdeslami ishte kthyer në Belgjikë menjëherë pas atentateve, por vetëm javët e fundit, autoritetet belge gjetën gjurmët e tij dhe arritën ta kapin së bashku me një bashkëpunëtor. Ndërsa zbulimi i Abdeslamit u cilësua si një sukses, ai u duk se tregoi që numri i personave të përfshirë në sulmet e Parisit mund të ishte më i madh nga sa u mendua në fillim. Kjo bëri që të rriteshin shqetësimet pas indicieve se Abdeslami dhe rrjeti i tij po planifikonin sulme të tjera. Për momentin mbetet e paqartë nëse ka lidhje mes terroristëve të dyshuar të sulmeve të Parisit dhe atyre të ndodhura sot në Bruksel, por nuk është e vështirë të kuptohet se pse të tjerë të dyshuar mund të jenë të përfshirë.
Pas sulmeve të Parisit, një nga zbulimet e para të policisë ishte emri i kreut të bandës, Abdelhamid Abaaoud, një shtetas belg. Abaaoud u vra gjatë një operacioni në Paris pak ditë pas sulmeve terroriste.
Brukseli u “rrethua” për ditë të tëra pasi u mësua se Abdeslam kishte hyrë pa u vënë re nga kufiri francez vetëm pak orë pas sulmit në Paris. Por edhe pasi kontrollet u rralluan, kryeministri belg paralajmëroi se rreziku ishte ende serioz dhe i afërt. Para bastisjes që përfundoi me kapjen e Abdeslamit, ka pasur një numër të madh operacionesh që zbuluan persona të dyshuar se xhihadistë.
Pas sulmeve në Paris, iu kushtua një vëmendje e madhe problemeve si diskriminimi dhe segregacioni në periferitë e kryeqytetit si dhe radikalizmi në sistemin e burgjeve. Për më tepër, shumë shpejt u bë e qartë se Belgjika mund të përballej me probleme edhe më të mëdha.
Molenbëk, një zonë në veriperëndim të Brukselit, ku banojnë të paktën 100 mijë njerëz, doli në skenë si problematike. “Ka pothuajse gjithmonë lidhje me Molenbëk-un dhe ky është një problem i madh”, tha nëntorin e kaluar kryeministri belg.
Zona në fjalë, jo shumë larg zonave më elitare të Brukselit, fillimisht është populluar nga emigrantë turq dhe marokenë, rreth 50 vjet më parë. Por ndërsa kjo zonë është rinovuar vitet e fundit, kontrasti me zonat e pasura fqinje mbetet i qartë. Papunësia aty llogaritet në 40 për qind, ndërsa dyqanet dhe zona në tërësi tregojnë varfëri.
Shpesh banorët me origjinë të huaj e gjejnë veten të disavantazhuar në tregun e punës, kjo edhe për shkak të gjuhës. Ata flasin vetëm frëngjisht dhe arabisht, ndrysa shumica e vendeve të punës në qytet kërkojnë njohjen e frëngjishtes, gjuhës flamande ose asaj holandeze, shpesh edhe të anglishtes. Një lëvizje e djathtë, e cila është në rritje në Belgjikë, ka rritur ndjenjën e ndasisë në vend. Disa myslimanë thonë se ndalimi i veshjeve islame në publik në vitin 2012 është tregues i diferencimit të tyre të qëllimshëm nga komuniteti katolik.
Lidhjet e lagjes Molenbëk me grupet radikale janë të njohura prej kohësh. “Kjo nuk më habit aspak, sepse islami radikal dhe ai politik në Belgjikë është diçka që është rritur me kalimin e viteve”, i ka thënë gazetës “Washington Post” vitin e kaluar Bilal Benyaich, drejtues i Institutit “Itinera”.
Benyaich e vuri theksin te fondet e akorduara në vitet ’70 nga Arabia Saudite dhe vendet e tjera të pasura të Gjirit Persik. Këto fonde u përdorën për të ngritur shkolla konservatore dhe religjioze në këtë zonë. Dhjetë vjet më parë, gazetari belg Hind Fraihi, në mënyrë të fshehtë realizoi një sërë shkrimesh që tregonin sesi myslimanët e rinj e të zhgënjyer të Molenbëk-ut kishin filluar të binin nën ndikimin e predikuesve radikalë.
“Pavarësisht kësaj, qeveria belge nuk mori asnjë masë”, shkroi Fraihi në atë kohë, duke lënë të kuptohej se “një brez i tërë pritej të bëhej pjesë e këtyre qëndrimeve të rrezikshme”.
Me ngritjen e Shtetit Islamik, këto ambicie gjetën terrenin e përshtatshëm. Të paktën 500 shtetas belgë udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut gjatë konfliktit të viteve të fundit dhe shumica e tyre përfunduan në radhët e ISIS-it, duke e bërë Belgjikën furnitorin europian më të madh me ushtarë për grupin terrorist. Një grup i quajtur “Sharia4Belgium”, i drejtuar nga një predikues karizmatik me emrin Fouad Belkacem u akuzua se ishte në qendër të përpjekjeve për të rekrutuar luftëtarë të huaj. Të tjerë të rekrutuar potencialë, të lodhur nga jeta në Europë, e gjetën rrugën për te grupi terrorist përmes komunikimit online.
Ndërsa shumica e këtyre luftëtarëve mund të jenë në Siri, Irak apo mund të jenë vrarë gjatë luftimeve, të tjerë dihet se kanë hyrë sërish në Europë. Autoritetet besojnë se 100 prej tyre mund të jenë kthyer, përfshirë edhe Abaaoud, shtetasin belg që udhëhoqi sulmet e përgjakshme në Paris.
Kërcënimi që përfaqësojnë këta luftëtarë dhe të tjerë që simpatizojnë Shtetin Islamik është provuar se është i vështirë të parandalohet nga autoritetet belge. Problemi nuk është vetëm numri i njohur i xhihadistëve potencialë. Belgjika njihet edhe si qendër rajonale e kontrabanduesve të armëve, ndërsa sistemi qeverisës dhe kultura dygjuhëshe mund të jenë një tjetër pengesë për hetuesit.
“Belgjika është një shtet federal dhe kjo është gjithmonë një avantazh për terroristët”, thotë Edwin Bakker, profesor në Qendrën për Terrorizmin dhe Kundërterrorizmin në Universitetin e Leidenit në Holandë. “Nivelet e shumta të qeverisjes vështirësojnë qarkullimin e informacionit mes hetuesve”, thotë ai.
Shpresat se Brukseli do t’i hedhë pas krahëve lidhjet me terrorizmin kanë qenë reale. Një fushatë për nxitjen e turizmit të qytetit, e realizuar kohët e fundit, u kërkonte të huajve të komunikonin në telefon me banorë të rastësishëm, shumica e të cilëve shpreheshin të lumtur kur flisnin për mundësitë që të ofrohen kur jeton atje. Një prej kabinave telefonike të përdorura ishte edhe njëra nga ato që ndodhen në Molenbëk. Megjithatë, sulmet e së martës treguan se sa e vështirë ka qenë për vetë Brukselin të frenojë kërcënimin e terrorizmit.
*Marrë nga “Washington Post”.